Kulturë

Kosova në Cannes synon të hapë dyer të reja për kinematografinë

Prishtinë, 15 maj – Shtandi i Kosovës për të tetin vit me radhë është vendosur në hapësirat e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Cannes të Francës. Të martën, kur edhe është hapur zyrtarisht njëri prej festivaleve më të rëndësishme në botë sa i përket kinematografisë, Kosova ka çelur dyert e shtandit të vet me numër 131. Në hapësirën e përbashkët me Shqipërinë, lokacioni i shtetit më të ri të Evropës kufizohet me Çekinë e Greqinë, përderisa përballë ka një shtand gjigant të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Pasi është hapur shtandi, drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku i ka thënë gazetës se fatmirësisht QKK-ja ka një numër të madh të projekteve që janë nëpër faza të ndryshme. Sipas tij, sa u përket filmave të papërfunduar do të shikohet mundësia që të komunikohet me të gjitha festivalet kryesore në botë.

Sa i përket fazës së postproduksionit Kosova do të prezantojë projektet kinematografike si “Vera andrron detin” me regji të Kaltrina Krasniqit dhe skenar të Doruntina Bashës, “Lëkura e krokodilit” me regji dhe skenar të Ilirjan Himajt, “Heshtja e sirenave”, me regji dhe skenar të Gazmend Nelës”. E sa u përket filmave që janë në fazën e produksionit, QKK-ja synon që të gjejë bashkëpunime a fonde shtesë. Midis të tjerëve do të prezantohet me projektin “Dëbora”, me regji të Luigj Bejtës dhe skenar të Arlinda Morinës, “Dritat e qytetit”, me regji të Valmira Hysenit dhe Mirsad Lushtakut e skenar të Parta Kelmendit, “Familja”, me regji dhe skenar të Durim Kryeziut, “Hana”, me regji të Ujkan Hysaj e skenar të Fadil Hysaj e “Skype”, me regji dhe skenar të Isa Qosjes.

Në ditën e 24 të këtij muaji, Afrim Muçaj e Arben Bajraktarjaj do të jenë në Festival. I pari do të shkojë nga Prishtina e i dyti nga Parisi. Janë aktorë të filmit “The Van”, nën regji të Erenik Beqirit. Bashkëprodhimi i Shqipërisë e Francës do të garojë midis 12 filmave në kategorinë e filmave të shkurtër, “Short competition”.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")