Kuvendi e Qeveria me nisma paralele për dokumentimin e gjenocidit Foto: Koha

Kuvendi e Qeveria me nisma paralele për dokumentimin e gjenocidit

Shaban Maxharraj Shaban Maxharraj 14 May 2019 10:21

Tre muaj pasi Qeveria e Kosovës ka vendosur për themelimin e qendrës përkujtimore për gjenocidin mbi shqiptarët, “Bllaca 1999”, e 33 ditë pasi u vendos guri themeltar, një projekt po me këtë temë është prezantuar në Kuvendin e Kosovës. Ky institucion ia ka mësyrë themelimit të atij që e quan muzeu për gjenocidin e luftës së fundit në Kosovë.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, kryetari i këtij institucioni, Kadri Veseli, ka thënë se ka paraqitur propozimin që të enjten të mbahet një seancë parlamentare për themelimin e një komisioni shtetëror që do ta ketë si mision hulumtimin dhe klasifikimin e gjenocidit të luftës së fundit në Kosovë, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Po atë ditë do ta kemi edhe rezolutën e gjenocidit në Kosovë për të vazhduar me vendimin që do ta marrë Kuvendi në themelimin dhe ndërtimin e muzeut të gjenocidit”, ka thënë Veseli. Sipas tij, propozimi është që ish-Tjegullorja të jetë vendndodhja e muzeut të gjenocidit serb mbi qytetarët e Kosovës. Pos kësaj, sa i përket kujtimit të së kaluarës, ai ka përmendur edhe një tjetër projekt.

Sipas Veselit, shteti do ta ketë edhe memorialin e dëbimit të qytetarëve të Kosovës që do të simbolizojë ndjekjen masive të mbi 1 milion njerëzve gjatë vitit 1999. Ky projekt, sipas tij, do të përfshijë të gjitha dëbimet që i janë bërë historikisht popullit shqiptar.

“Te Stacioni i Trenit do të jetë memoriali. Pres përkrahjen e të gjitha partive politike pasi është një mision i gjeneratës sonë që të faktojë gjenocidin që e ka kryer Serbia në vendin tonë”, ka thënë Veseli.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës në mars ka ndarë 100 mijë euro për ta përkrahur fazën fillestare të realizimit të projektit të qendrës përkujtimore për gjenocidin mbi shqiptarët, “Bllaca 1999”.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme