Kulturë

Regjisori që gërmon ndjesitë e njerëzve

Për Leart Ramën, karriera si regjisor filloi pa paramendim, si një thirrje e brendshme në një natë vere sa ishte 16 vjeç. 

Konkursi për artistë të rinj krijues që të bëhen pjesë në lëvizjen e filmit “Kino Kabaret”, në kuadër të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër, “DokuFest” ishte ai që ia ndryshoi jetën. Paraprakisht kishte shkruar një skenar dhe kishte bërë dramaturgjinë për një shfaqje në Rahovec, vendin ku u rrit, nëpërmjet së cilës e kuptoi ndikimin që mund të kishte te njerëzit tregimi i historive. 

“Vendosa me apliku për ‘Kino Kabaret’ pa e ditë tamam se ku jam t’u hy. Edhe pse nuk e kisha idenë, pa e pritë që kam me u pranu, aplikova si regjisor”, tregon Rama, të cilin kjo përvojë e ndihmoi më pas të spikatej si talent i veçantë nga udhëheqësit e festivalit, shkruan sot Koha Ditore.

“Kino Kabaret” është platformë botërore, ku njerëzit nga e gjithë bota, regjisorë, skenaristë apo aktorë, mund të aplikojnë, të mblidhen, të bëjnë filma. Kur Rama u pranua dhe shkoi në Prizren për të filluar me filmin, u ndesh me një botë të panjohur më herët për të. 

Botën e filmit – nga e cila nuk u nda më. Filmat e tij janë shfaqur nëpër festivale të ndryshme, të vendeve si Sarajeva, Porto të Portugalisë, New Yorku e Washingtoni...

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)