Dy festivale njëkohësisht do të mbahen këtë fundjavë. Hapja e edicionit të parë të festivalit të romanit grafik “GranFest” do të bëhet sonte (e premte) në modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës në ora 19:00, për të vazhduar më pas nga ora 20:00 me edicionin e nëntë të festivalit të letërsisë “Polip”. Janë 40 artistë nga pothuajse 20 vende të botës, që do të prezantohen në këto dy festivale gjatë tri ditëve.
Gani Jakupi, artisti shqiptar që jeton në Barcelonë, i cili është ideator dhe organizator i “GranFest-it”, ka thënë se ky është festivali i parë i romanit grafik, jo vetëm në Kosovë, por për të gjitha trevat shqiptare, shkruan sot Koha Ditore.
Punimet e ilustruesve e artistëve grafikë nga vende të ndryshme, emra si Hermann nga Belgjika, Dave McKean nga Britania e Madhe, Ville Ranta nga Finlanda, Fumio Obata nga Japonia, e të tjerë, do të paraqiten në ekspozitën e hapjes.
Drejtor i përgjithshëm i Festivalit është kryeredaktori i “Koha Ditore”, Agron Bajramin.
Në natën e parë leximet do të mbahen në Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës, natën e dytë në “Qendrën Multimedia”, ndërsa natën e tretë në menzën “Ramiz Sadiku”.
Ky festival tradicionalisht e ka një fokus tematik. Sivjet fokusi quhet “Literary Deal” (Ujdia Letrare), nëpërmjet të cilit synohet të shihet se çfarë ndikimi ka pasur letërsia në vitet e fundit, në proceset politike dhe çfarë ndikimi mund të ketë në këtë drejtim në vitet në vazhdim.
Jeton Neziraj, drejtuesi i “Qendrës Multimedia” dhe organizatori i festivalit “Polip”, ka bërë të ditur se disa nga shkrimtarët që do të marrin pjesë në edicionin e sivjetmë të “Polip” janë: Sarah Hehir nga Britania e Madhe, Tanja Raich nga Austria, Lena Dorn nga Gjermania, Mariklena Niço nga Shqipëria, Ivana Bodrožić nga Kroacia e dhjetëra të tjerë.
Në kuadër të këtij programi do të ketë debat mes shkrimtarëve serbë dhe kroatë, të zhvendosur në “Qendrën e Energjisë Civile” në Graçanicë, që do të mbahet të premten nga ora 16:00.
Ndërsa në Aleancën Franceze në Prishtinë, në ora 17:00, do të bëhet hapja e ekspozitës së vizatimeve komike “Spirou4rights”. Të pranishëm do të jenë ambasadori francez në Kosovë, Didier Chabert, artisti francez, Frank Margerin, dhe Nora Jusufi, përfaqësuese e shoqërisë civile.
“Spirou4rights” është një ekspozitë në partneritet me gazetën “Spirou”, komisionarin e lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut dhe Aleancën Franceze.
Të hënën në Universitetin e Prishtinës dhe Universitetin e Prizrenit do të ketë diskutim me autorë e shkrimtarë, ndërsa në “Qendrën Multimedia” do të bëhet promovimi i novelës grafike “Beta testing the Apocalypse” nga Tom Kaczinsky, botuar në shqip për herë të parë.
Të martën, përmbyllja bëhet me një sesion leximi e diskutimi me autorin austriak, Robert Prosser. Hyrja në të gjitha eventet është falas....(Më gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")