Kulturë

Bëhen publikë emrat e jurisë shqiptare në Eurovision

Shqipëria do të përfaqësohet këtë vit në festivalin më të rëndësishëm të muzikës europiane “Eurovision” me këngëtaren Jonida Maliqi dhe këngën e saj “Ktheju Tokës”. Mirëpo, sikurse dihet, vendet konkurruese paraqiten në këtë kompeticion edhe me një juri përkatëse që vlerëson këngët e festivalit europian.

Këngëtarja Anxhela Peristeri ka ndarë me ndjekësit e saj në rrjetin social “Instagram” krahas faktit se ajo do të jetë pjesë e kësaj jurie, edhe emrat e pjesëmarrësve të tjerë. Juria shqiptare duket se do të ketë pjesë të saj edhe Eranda Libohovën, Dilan Rekën, Julka Gramon dhe Gent Rushin.

Rikujtojmë se Jonida Maliqi u përzgjodh si përfaqësuesja e cila do të përfaqësojë vendin në Izrael, pasi u shpall fituese e festivalit të 57 të RTSH-së. Këngëtarja fitoi 228 pikë nga juria.