Nehat Islami është gazetar karriere. Lindi më 1943 në Ferizaj. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në Prishtinë, Fakultetin Juridik në Zagreb. Ishte bursist i gazetës “Rilindja” ku filloi të punojë pas studimeve, në vitin 1966. Ishte reporter i lirë. Më 1968 kaloi në Redaksinë televizive të Kosovës, ku përgatiti emisionin magazinë “Shkëndija”. Më 1974, “Rilindja” e emëroi në vendin e korrespodentit të parë të përhershëm të kësaj gazete për Lindjen e Mesme me seli në Bejrut, transmeton Koha Ditore.
Ka qenë anëtar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut që nga fillimi e gjerë në fund të luftës se Kosovës. Pas luftës ka udhëhequr disa vjet në Kosovë IWPR (Rrjetin për raportim mbi luftën dhe paqen), ndërsa aktualisht është drejtor ekzekutiv i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës.
Është autor i dy librave: “Hotel Bejruti” dhe “Një adresë në Bukuresht”.
----
Kodra. Në ortekun e lajmeve të vështira që na bombardojnë për çdo ditë, një më erdhi si fllad pranvere. Ishte lajmi se më në fund u nënshkrua marrëveshja për themelimin e muzeut “Ibrahim Kodra” në Prishtinë. Edhe ndërtesa e ish-bibliotekës në “Tophane”, ku kam kaluar vitet e fëmijërisë duke u sjellë e pështjellë për të “zgjedhur” ata pak libra që gjendeshin në gjuhën shqipe, më ngjallin kujtime. Nja pesë herë e kam lexuar “Lexo e gjezdis Kunde e Paris”. Kur doli “Picimuli” i Rexhep Hoxhës u bëra për studime.
Më flladiti lajmi i mirë për muzeun “Kodra”, sepse Prishtina dhe Ibrahim Kodra kanë dashni të moçme. Këtë e përjetova që nga viti 1967, kur për herë të parë në jetën time dola “në botë” si gazetar. Për herë të parë u bëra edhe me pasaportë. Ia mësyva Parisit, ku më ftoi një shok. Rrugës u ndala në Milano për ta takuar një piktor të madh shqiptar, për të cilin kisha lexuar në shtypin kroat që nga ditët e studimeve. Nejse, mos ta zgjas.
Pa paralajmërim i trokita në derë njeriut që nuk e njihja. E kisha parë vetëm në gazeta.
Pasi u prezantova, Ibrahim Kodra instinktivisht e hapi derën tërësisht, në lagjen “Via Vneto” me fjalët bujare: “Mirë se erdhe vëlla!”.
Tri ditë më gostiti në restorantet më të mira të Milanos. Nuk e fshihte kënaqësinë që pas vitit 1938, kur kishte ardhur në Itali si bursist i Nanës Mbretëreshë të Shqipërisë, asaj Shqipërie që pas ardhjes së komunizmit ia kishte mbyllur derën si “piktor dekadent”, po takonte një gazetar nga Kosova, i cili shkroi një reportazh për atë takim dhe përcolli në Kosovë mesazhin se Ibrahim Kodra, njëri ndër piktorët e niveleve më të larta evropiane dhe botërore, kishte dëshirë të hapte një ekspozitë në Prishtine, pasi Tirana e atëhershme nuk e ftonte fare as me piktura, as si turist.
Ashtu edhe u bë. Një vit më vonë Ibrahim Kodra hapi ekspozitën e parë në truallin shqiptar, pas qindra ekspozitave në mbarë rruzullin tokësor.
“Tani mund të vdes rahat. Ngjyrat e mia u shkrinë me ngjyrën e dheut tim”, deklaroi në Prishtinën entuziaste që iu krijua mundësia për ta nderuar një piktor të madh dy vjet pas çlirimit nga dhuna e erës së Rankoviqit.
Metuzalemet. Në Magrebin arab, kjo pranverë e butë po ua merr dheun nën këmbë “metuzalemeve” nga pakënaqësia e popullit. Buteflika i Algjerisë që po synonte edhe mandatin e pestë presidencial, u dorëzua nga valët e pakënaqësisë së shtetasve të vet. Nuk u ngop pushtet as gjatë 20 vjet sundimi me dorë të fortë e me gjysmë zemre që i rrihte.
Më shumë në spitalet e Parisit se në Algjer, i rrethuar nga klani i tij që nga koha e luftës për pavarësi të vitit 1962, Buteflika i pangopur për pushtet plot 60 vjet (më parë ishte 20 vjet ministër i Jashtëm) e “hapi derën” e largimit të metuzalemeve....(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)