Shala: Pronësia intelektuale me rëndësi të veçantë ekonomike për biznesin

Shala: Pronësia intelektuale me rëndësi të veçantë ekonomike për biznesin

26 April 2019 14:15

Në konferencën Kombëtare “Të drejtat pronësore Intelektuale”, që është organizuar në shënimin e Ditës Botërore të Pronësisë Intelektuale, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, i ka dhënë përkrahje forcimit të sistemit të pronësisë intelektuale në Kosovë, në ditën Botërore të Pronësisë Intelektuale, duke shtuar se do të jetë prioritet i ministrisë deri në përmbushjen e plotë të obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim Asocimit me BE-në.

Ministri Shala theksoi se pronësia intelektuale ka një rëndësi të veçantë ekonomike për biznesin, vlerësohet se 70-80% e aseteve të një kompanie në vendet me ekonomi të bazuar në dije përbëhet nga pasuria jo-fizike ose kapitali intelektuale.

“Forcimi i një sistemi të tillë, është prioritet i MTI-së dhe do të vazhdoj deri në përmbushjen e plotë të të gjitha obligimeve që dalin nga MSA me BE-në. Përdorimi i paautorizuar i markës tregtare, patentës, dizajnit, falsifikimi i produkteve, pirateria dhe dukuri të ngjashme të tjera janë preokupim i shumë vendeve të Botës. Prandaj, është e një rëndësie të veçantë që kjo dukuri negative të luftohet edhe në Republikën tonë”, theksoi Shala, transmeton ksp.

Leonora Bunjaku Morina, zëvendësministre e Kulturës theksoi se krijuesit meritojnë mbrojtje dhe kompensim.

Ajo theksoi se e drejta e autorit dhe pronësisë është duke u avancuar në Kosovë dhe çdo ditë e më shumë po e mbron autorin.

“Që të arrijmë të artën si shoqëri në shkencë e teknologji, në inovacion e kreativitet, duhet të sigurojmë që të drejtat pronësore intelektuale mbrohen dhe respektohen. Kosova ka vazhduar të marr hapa në fushën e të drejtës së autorit. Kemi vazhduar me krijimin e politikave të reja . Në fund të vitit që lamë pas kemi miratuar Rregullore e re për kompensimet veçanta për të siguruar kështu kompensime shtesë për autorët e krijuesit tanë”, deklaroi Bunjaku-Morina.

Drejtori i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha tha se Dogana kontribuon për arritjen e objektivave qeveritare për përmbushjen e të hyrave si dhe në zbatimin e të drejtave intelektuale që është një garanci edhe për tërheqjen e investimeve të huaja.

Sipas tij, gjatë vitit 2018, Dogana ka evidentuar mbi 380 raste të falsifikimit me mbi 1 milionë copë produkte që janë asgjësuar, ku vlera e tyre është mbi 2 milionë euro.

“Janë 1 milionë e 200 mijë copë produkte të cilat iu kanë nënshtrua shkatërrimit gjatë vitit të kaluar në Kosovë, që vlera e tyre nuk matet, ngaqë është me rëndësi produkti i falsifikuar me u heq nga tregu, me mbrojtur konsumatorin, me mbrojtur shëndetin. Por kalon mbi 2 milionë euro vlera e mallrave”, tha Berisha.

Drejtori i Zyrës për të drejtat e Autorit, Valon Kashtanjeva tha se të drejtat pronësore intelektuale kanë një rol të rëndësishëm në kohën tonë, kur zhvillimet teknologjike dhe format e reja të ndërmarrësisë dhe të prodhimit paraqiten çdo ditë e më shumë.

“Këtë vit, Kosova do të krijoj një Komision për caktimin e tarifave për operatorët kabllor, sepse ende nuk kemi tarifa për pagesat që operatorët kabllor do të bëjnë për shfrytëzimin e lëndës së mbrojtur. Pasatj jemi edhe në procesin analizimit të legjislacionit të së drejtës së autorit që të shikohen cilat janë ato ndryshimet në BE dhe të bëhen pjesë e legjislacionit tonë”, tha Kashtanjeva.

Ai shtoi se produktet kreative dhe novative duke filluar nga librat, muzika, pikturat, programet kompjuterike, filmi, vizatimet teknike dhe arti që mbrohen me të drejtën e autorit, duke vazhduar me produktet si barërat, telefonat e mençur, brendet e rrobave e deri te prodhimet e printerëve trendimensionalë e të tjera, që janë të mbrojtura me të drejta pronësore industriale.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme