Kulturë

Rona Nishliu me “Mindil” rifreskon trashëgiminë muzikore shqiptare

Foto: Arben Llapashtica

Jazz-këngëtarja Rona Nishliu ka promovuar albumin e saj më të ri të titulluar “Mindil”. E këtë e ka bërë me koncert live të mërkurën mbrëma në “Kino Armata”, repertori i të cilit ka qenë krejtësisht prej albumit që vjen pas “Me motive tonat”, i realizuar në vitin 2015.

Edon Ramadani në piano, Kiril Tufekçievski në kontrabas dhe Nesim Maxhuni në bateri, e kanë shoqëruar edhe në koncert, ashtu sikurse janë edhe pjesë e kuartetit të Nishliut. Rifreskim i trashëgimisë kulturore muzikore shqiptare e më gjerë, është vetëm një prej cilësimeve të këngëve që sjell “Mindili”, e që janë risjellë besnikërisht në koncert, shkruan sot “Koha Ditore”. Aty ka pasur vend edhe për dy këngë të albumit paraprak, por vend s’ka pasur për të gjithë në “Kino Armatë”. Disa e kanë shijuar koncertin edhe në këmbë.

Të dyja albumet përfshijnë këngë të përpunuara, të cilat i takojnë muzikës tradicionale dhe janë tentativë e promovimit të trashëgimisë kulturore, muzikore, shpirtërore shqiptare.

Albumi “Mindil”, për të cilin kuarteti ka punuar dy vjet, ka gjithsej dhjetë këngë, ndër to tituj të njohur si “Baresha”, “Moj e mira te pojata” dhe “Me lule t’bukra.” Përveç këngëve të folklorit, përfshihen edhe dy këngë të etnive të tjera. “Kasmangjesa”, e cila është këngë e kulturës rome dhe kënga me motive turko-greke, “Opa nina”, që këngëtarja rome, Esma Rexhepova, e kishte bërë të famshme në Ballkan.

Arsye pse grupi kishte zgjedhur këto këngë është sepse, sipas tyre, përfaqësojnë emocione të ndryshme.

“Kam dashur që në këtë album të gërshetohen emocione të ndryshme dhe përjetime që secili prej nesh në përditshmëri i ka të natyrshme”, ka shpjeguar Nishliu.

Titulli “Mindil” është vendosur me shpjegimin figurativ se mindili ka mbledhur lotët e shumë grave e nënave kur janë përshëndetur me fëmijët e tyre që kanë shkuar në mërgim, lotët e çifteve të reja që janë ndarë me njëri-tjetrin qoftë për kurbet ose për ushtri, nënat kanë qëndisur mindil për gocat e tyre për pajën e nusërisë. Për këngëtaren, këta lot të gëzimit, mallëngjimit, hidhërimit lidhen me shoqërimin që bën muzika në momente të ndryshme.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)