Kulturë

Rrugëtimi i Dio Dragajt në “The Voice Kids” të Gjermanisë ndalet në finale

Dio Dragaj, 14 vjeçari nga Kosova që arriti të prekë finalen në “The Voice Kids” të Gjermanisë, nuk ka arritur të dalë para votuesve.

Ai është eliminuar nga tutorja e tij Lena Meyer Landrut, e cila në mes Dragajt dhe Thapelo, vendosi që me këtë të dytin të synojë të triumfojë nga votat e publikut.

Në natën finale, talenti kosovar vendosi që të paraqitet me këngën “Love someone”. Edhe në natën finale Dio ka shkëlqyer, e siç ka raportuar Koha.net më parë, deri në këtë pikë ai erdhi falë performancave të mrekullueshme të tij.

14-vjeçari, që është edhe i biri i Adnan Dragajt, ish-frontmenit të grupit të njohur “Humus”, në audicionet e fshehta kishte bërë që anëtarë të jurisë edhe të ngriheshin në këmbë duke kërkuar që ai të bëhej pjesë e grupeve të tyre.

Dio garon në këtë format të talenteve tash e 7 muaj.

Rrugëtimi i tij në “The Voice Kids of Germany” ka filluar me fazën përzgjedhëse para komisionit, ku kanë aplikuar mbi 25 fëmijë. Në fazën e parë para publikut në “Audicionet e fshehta” u prezantua me këngën “Ordinary People” të John Legend. Para performancës së tij, atë e befasuan me një video nga vetë këngëtari J. Legend kushtuar Dios. Në fazën e dytë që njihet si “Betejat” u prezantua me këngën “You give me something” të James Morrison, ku me gjithë dy këngëtaret jashtëzakonisht të mira që ishin në betejë me të, ai vazhdoi në fazën e tretë në gjysmëfinale, përsëri me këngën “Ordinary people” të Legend. Këtu në mesin e dy finalisteve Lena Mayer Landrut zgjodhi të parin Dion.

Në mediat gjermano-folëse ka mjaft shkrime dhe komente për ngjyrën e zërit të tij, stilin e këndimit Soul dhe R&B, duke e krahasuar me këngëtarë si Sam Smith, James Arthur.