Lapsi - mania që më jep kënaqësi

Lapsi - mania që më jep kënaqësi

21 April 2019 07:30

Emin Azemi është i lindur në fshatin Stançiq të Gjilanit. Shkollimin fillor dhe të mesëm i kreu në Kumanovë, kurse studimet universitare dhe pasuniversitare në Prishtinë e Shkup.

Ka mbaruar Fakultetin Filologjik, Letërsi e Gjuhë Shqipe, kurse ka ndjekur edhe studime pasuniversitare të Komunikologjisë. Nga viti 1983 ka startuar me gazetari të angazhuar dhe aktive, fillimisht si gazetar dhe redaktor në gazetën e studentëve ‘’Bota e Re’’ në Prishtinë, deri në vitin 1987, dhe pastaj në gazetën “Rilindja” deri në vitin 1992, shkruan sot Koha Ditore. 

Prej vitit 1992-1995 punon redaktor në gazetën “Flaka” të Shkupit, kurse ndërkohë ka qenë edhe korrespondent i “Zërit të Amerikës” nga Shkupi, bashkëpunëtor i gazetës “Ilyria” të Amerikës. Në periudhën e viteve 1998-2011 ka qenë botues dhe pronar i gazetës së parë të pavarur në gjuhën shqipe në Maqedoni, “Fakti”. Prej vitit 2006 është i angazhuar në UEJL, si mësimdhënës i disa lëndëve nga komunikimi dhe gazetaria. Aktualisht punon redaktor përgjegjës në të përditshmen KOHA. Përveç gazetarisë dhe publicistikës merret edhe me letërsi, me kritikë letrare e teatrore. Ka botuar dy libra poetikë dhe publicistikë.

Gazeta – Kur isha fëmijë, babai sillte gazetë në shtëpi. Ai e lexonte, kurse unë ia shikoja fotografitë. Kur i mësova shkronjat, fillova ta kuptoja se bota ishte më e madhe sesa ajo që shihja në oborr dhe në lagje. Atëherë e pata kuptuar se si Skënderbeu kishte vdekur para 500 vjetëve, kurse për herë të parë e pata mësuar fjalën demonstratë.

Në Prishtinë rinia dhe intelektualët po demonstronin. Ishte viti ‘68. Çuditërisht gazeta te unë erdhi para abetares dhe ka mbetur e fundit tek unë. Një kohë të gjatë po merrem me gazeta. Dhe jo vetëm si lexues. Nëse do të më pyesni se a do ta bëja sërish këtë rrugë, sigurisht se gazeta do të jetë e pashmangshme në këtë rrugëtim. Nëse do të më pyesni se gazeta të ka marrë apo të ka dhënë më shumë, do të thosha se më ka marrë shumë, por ajo çka më ka dhënë nuk do ta merrja në një trajtë tjetër.

Më ka ndihmuar në vetë procesin e të shkruarit, kurse përvoja e punës në terren nuk e zëvendëson asnjë formë tjetër të njohjes nga afër të njerëzve dhe vetë jetës. Për letërsinë, ky është një thesar që fle bashkë me muzat. Si një mysafir i një restoranti që bëhet gati të mbyllet, edhe gazeta tek unë do të mbyllë një cikël të punës sime publike-profesionale dhe do të risjellë kondicionin për një cikël të ri, në një fushë të përafërt.

Lapsi – Kur lexoj është një mjet që më shoqëron pandashëm. Nuk di ta shpjegoj tamam, por nëse nuk kam laps në dorë, nuk mund edhe të lexoj. Është si një lloj totemi që i jep leximit një kreativitet shtesë.

Aftësia e receptivitetit leximor tek unë shtohet ose bie, varësisht nga të qenit apo jo e lapsit në dorë. Zakonisht i shënoj fjalitë që më bëjnë përshtypje. Por jo me stilograf. Fjalitë i nënvizoj me laps të thjeshtë, të drurit....(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme