Kulturë

Qendra Kinematografike në pritje të projekteve filmike

Qendra Kinematografike e Kosovës të enjten ka hapur konkursin për subvencionim të projekteve filmike për këtë vit. Edhe sivjet kategoritë dhe kriteret mbesin të njëjta. Kineastët kanë një muaj kohë t’ia adresojnë QKK-së projektet e tyre, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Këshilli Drejtues i QKK-së në mbledhjen e fundit të mbajtur ka hapur konkursin në këto kategori: konkursi për film të metrazhit të shkurtër dhe të gjatë artistik dhe dokumentar, konkursi për film të shkurtër të animuar, konkursi për film debutues të metrazhit të gjatë artistik, konkursi për koproduksion minor për film të metrazhit të gjatë artistik, konkursi për postproduksion për film të metrazhit të gjatë artistik, si dhe konkursi për zhvillim skenari për film të metrazhit të gjatë”, shkruhet në njoftimin e QKK-së. Krahas konkurseve në secilën kategori, QKK-ja ka lansuar edhe ftesën për regjistrimin e shtëpive filmike, që është njëri prej kritereve të konkursit.

Dallimi thelbësor që ka në mbështetjen e projekteve është buxheti. Sivjet që në hapje të konkursit buxheti është 1 milion e 250 mijë euro, nga 1.4 sa ka në tërësi për gjithë vitin. QKK-ja pret që të ketë rritje edhe me rishikim të buxhetit nga ana e Qeverisë, në qershor.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)