Kulturë

Kalendari kulturor Kosovë-Shqipëri ripërtërihet, pavarësisht dështimeve

Ministri i Kulturës në Kosovë, Kujtim Gashi, dhe homologia e tij nga Shqipëria, Elva Margariti, kanë zyrtarizuar Kalendarin e përbashkët kulturor midis dy shteteve për këtë vit. Nënshkrimi i protokollit të bashkëpunimit është bërë të martën në Tiranë, vetëm një javë pasi Ministria e Kulturës në Shqipëri kishte dashur të tërhiqej krejtësisht nga ky bashkëpunim me arsyetimin për mungesë të buxhetit. Gashi e Margariti për herë të gjashtë kanë ripërtërirë Kalendarin kulturor, që asnjëherë nuk është respektuar në pjesën më të madhe të tij, shkruan sot Koha Ditore.

Pos vitit 2014, kur u nënshkrua për herë të parë, në vitet pasuese, ky dokument nuk ka pasur ndonjë peshë konkrete. Megjithëse as vetë ministri Gashi nuk është i kënaqur me implementimin e Kalendarit gjatë vitit të kaluar, të martën me homologen e tij, Margariti, e kanë vlerësuar shumë lart këtë bashkëpunim. Sivjet, disa prej institucioneve qendrore të Kosovës nuk janë të përfshira fare në këtë bashkëpunim. Përderisa nuk ka një llogaritje financiare se sa mund të kushtojë implementimin i tij, Kalendarin e kanë parë si të panevojshëm disa prej udhëheqësve të institucioneve qendrore të kulturës në Kosovë qysh kur ishte paralajmëruar zyrtarizimi i tij në muajin e kaluar.

Ministri Gashi pas nënshkrimit të protokollit të bashkëpunimit ka thënë se bëhet fjalë për një ditë të rëndësishme dhe festive për gjithë komunitetin artistik në Kosovë e Shqipëri, por edhe për dy vendet pasi tashmë është krijuar një traditë e organizimeve të përbashkëta të aktiviteteve kulturore. Pas kësaj ka përmendur mundësinë e një fondi të përbashkët kulturor.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)