Eksodi i refugjatëve, të cilët para njëzet vjetësh ia mësynë Bllacës, të dëbuar nga shtëpitë e tyre, u rikthye në kujtesë, nëpërmjet një projekti teatror.
“Bryma e vdekjes”, nëpërmjet lojës së aktorëve, solli në memorien e audiencës kujtimet për kampin famëkeq dhe përpjekjet për mbijetesë të popullit kosovar në marsin e prillin e vitit 1999.
Me tekst të Milazim Krasniqit e regji të Burbuqe Berishës, kjo shfaqje është realizuar si një thirrje për të reflektuar në të kaluarën dhe ndodhitë e para dy dekadave, transmeton emisioni Express në KTV.
Audienca e mirëpriti shfaqjen që u dha të hënën mbrëma në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Autori Milazim Krasniqi, tekstin e dramës e ka shkruar duke u bazuar në një përvojë të tijën personale dhe u nda i kënaqur me realizimin regjisorial.
Për regjisoren Burbuqe Berisha, ishte sfiduese ta pasqyronte një realitet të tillë në formë dokumentare.
Aktori Valmir Krasniqi, tha se roli i tij ishte ndër më të veçantit që ka portretizuar deri tani.
Audienca e premierës, përfshiu edhe emra të njohur të skenës teatrore që e mirëpritën shfaqjen.
Në role kryesore në shfaqjen “Bryma e vdekjes” luajnë Bujar Ahmeti, Teuta Krasniqi, Afrim Muçaj, Albulena Kryeziu, Blerya Deliu-Kodra, Ismet Azemi, Xhejlane Godanci etj.