Prishtinë, 9 prill – Ka vite që përmendet, por rezultatet e para të “adresës” së përbashkët të aktiviteteve kulturore në kryeqytet vijnë tek tani. Komuna e Prishtinës të hënën ka lansuar fletushkën që përthekon krejt agjendën e disa organizatave e institucioneve të kulturës. Por ky është vetëm hapi i parë drejt realizimit të platformës online në ueb-faqen “prishtinaonline.com”, që do të jetë një dritare për shpalosjen e krejt jetës kulturore e atraksioneve të metropolit kosovar. Fletushka përfshin vetëm ngjarjet e këtij muaji.
Adrian Berisha, këshilltar komunal në Komunën e Prishtinës, ka thënë se çdo muaj do të dalë nga një agjendë e tillë.
“E kemi krijuar për të harmonizuar aktivitetet dhe të shihet se çfarë ofron Komuna e Prishtinës nga aspekti i aktiviteteve kulturore dhe sportive”, ka thënë Berisha.
Sipas tij, përveç qytetarëve të kryeqytetit, fletushka e aktiviteteve është krijuar në veçanti për turistët që vizitojnë Prishtinën. Ai ka paralajmëruar së shpejti do të lansojnë një platformë digjitale të quajtur, “My Prishtina”, ku përveç kësaj fletushke, do të futen të gjitha aktivitetet në qytet, vendet për t’u vizituar, gjërat që mund të bëhen.
(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")