Kulturë

Ministria konstaton se Komuna e Gjakovës rrezikon Kullën e Vokshit

Foto: Koha

Komuna e Gjakovës dhe Ministria e Kulturës nuk janë duke gjetur gjuhë të përbashkët sa i përket heqjes dorë nga shpronësimi i parcelave përreth Kullës së Sylejman Vokshit në Gjakovë.

MKRS-ja për herë të dytë ka konstatuar se vendimi i Komunës së Gjakovës është në kundërshtim me Ligjin për trashëgimi kulturore, shkruan sot “Koha Ditore”. Por në shkresën e dytë MKRS-ja ka shkuar edhe më tej.

Ka ardhur në përfundim se mosshpronësimi e vë në rrezik monumentin. Komuna e Gjakovës nuk është pajtuar me shkresën e parë të MKRS-së që i është përcjellë nëpërmjet Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal. Ka kërkuar shpjegime shtesë, kur muajin e kaluar MKRS-ja i kishte thënë se vendimi i Kuvendit Komunal ishte në kundërshtim me Ligjin për trashëgimi kulturore. Por MKRS-ja të martën e javës që shkoi ia ka përcjellë MAPL-së edhe shkresën e dytë.

Komuna e Gjakovës, e udhëhequr nga kryetari Ardian Gjini, nëpërmjet një vendimi të ri më 4 mars ia kishte dalë që të zhbëjë atë të tetorit të vitit 2015 nëpërmjet të cilit pos Kullës së Sylejman Vokshit dhe parcelës ku gjendet monumenti, shpronësoheshin edhe parcelat përreth. Komunat vendimet e tyre i dërgojnë në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal për ta konfirmuar ligjshmërinë e tyre.

Në këtë rast, meqenëse bëhej fjalë për perimetër të një zone të mbrojtur të trashëgimisë kulturore, MAPL-ja ka kërkuar shqyrtim të ligjshmërisë së vendimit të Komunës së Gjakovës për herë të dytë nga Ministria e Kulturës. Ajo ka konstatuar se nëpërmjet vendimit të ri Komuna e nxjerr monumentin e mbrojtur nga regjimi i trajtimit si interes publik, pa përcaktuar paraprakisht masat e tjera legale përmes instrumenteve të planifikimit urban që do të garantonin se monumenti dhe zona mbrojtëse përreth tij nuk do të cenohen.

“Pra, është e qartë se kemi ndikim negativ nga vendimmarrja e tillë e pakonsultuar me institucionet publike të trashëgimisë kulturore në Republikën e Kosovës”, shkruhet në shkresën e protokolluar më 4 prill.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)