Kulturë

“Password” me duar që shkruajnë histori e kërkojnë shpresë

Foto: Koha

Duar të djegura zgjaten drejt qiellit dhe atje gjejnë qendrën e universit. Gishtërinjtë herë duken si të ishin zgjatur për lutje e herë si për të lënë gjurmë historie. Por, historia e atyre duarve shkruhet me të zeza. Reflektojnë në një filozofi më të thellë e të pazakontë. Mbërthejnë histori vuajtjesh, por edhe shprese.

Kështu, dhe jo vetëm është interpretuar “Password” – ekspozita e parë personale e skulptorit Artan Hasani u hap të enjten mbrëma në Galerinë e Ministrisë së Kulturës. Duart janë emëruesi i përbashkët i 13 skulpturave në të cilat autori i ka realizuar për dy vjet, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Tërësia e skeleteve skulpturale, artistike, njëherësh kanë ardhur edhe si mesazh ADN-je për të djeshmen, për të sotmen e të nesërmen, e kulturës skulpturale, nga dorë e një artisti me veçori dhe tipare të një krijuesi që do të jetë password për kohën moderne”, ka shkruar në katalogun e ekspozitës kuratori i saj Naser Shatrolli.

Feim Hoxha, drejtor i Departamentit të Kulturës në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka thënë se për ta është kënaqësi që të marrin pjesë në një ekspozitë të një artisti të ri, të guximshëm dhe shumë kreativ.

Dhurata Ramosaj, koordinatorja e Galerisë së Ministrisë së Kulturës, ka thënë se në duart e paraqitura përveç realizimit të anatomisë e formës, është dhënë edhe mesazh shumë i mirë.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)