“Më fal”, filmi kosovar i metrazhit të shkurtër i regjisorit Besim Ugzmajli, që ka për temë ekstremizmin fetar, do ta vazhdojë rrugëtimin në Angli.
Është përzgjedhur për të qenë në programin zyrtar të festivalit “High Peak Independent Film Festival”, edicioni i tretë i të cilit do të mbahet prej 12 deri më 16 qershor në teatrin “New Mills” të Anglisë, 24 kilometra nga Mançesteri, shkruan sot Koha Ditore.
Qëllimi i festivalit është që të krijojë një platformë për filmbërësit që do të ishte njëherësh edhe vendtakim për ta. Për edicionin e këtij viti ka paralajmëruar më shumë aktivitete dhe rikthimin e një gare tashmë tradicionale të quajtur “10 orët e filmbërjes”. Disa nga çmimet që jepen në kuadër të festivalit janë ai për filmin më të mirë të gjatë e të shkurtër, ai për regjisorin më të mirë dhe çmimi për kineastët e rinj.
Regjisori i filmit Besim Ugzmajli ka thënë se për të është shumë e rëndësishme që filmi ka më shumë se një vit që në vazhdimësi përzgjidhet në festivale të rëndësishme gjithkah nëpër botë.
“Tani ka kaluar në më shumë se 50 festivale të kategorive të ndryshme dhe ka fituar 8 çmime të ndryshme kinematografike në festivale ndërkombëtare”, ka thënë Ugzmajli.
Ngjarja e filmit zë vend në Kosovë. Bujari (Kushtrim Asllani), protagonisti i filmit “Forgive me”, është një i ri i manipuluar nga hoxha për t’iu bashkuar luftës në Siri. Luftës i bashkohet tinëz e më pas e lajmëron vëllanë e tij Agronin (rolin e të cilit e luan Agron Shala), dhe i kërkon që t’ia dërgojë edhe gruan e tij Mimozën, luajtur nga aktorja Semira Latifi....(Më gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")