Kulturë

Pianistja Kravos me kryevepra e vulos talentin

 

E vlerësuar si njëra nga pianistet më premtuese të gjeneratës së re, Zala Kravos qysh në momentet e para të koncertit të saj në Prishtinë e ka dëshmuar këtë. Përderisa është ulur pranë pianos pas duartrokitjeve të publikut që e kanë përcjellë, koncertin e parë të natës së tretë të festivalit “DAM” e ka nisur me “Sonatën nr. 8 në a-mol, KV 130”, që është një prej veprave më në zë të kompozitorit austriak Wolfgang Amadeus Mozart, shkruan sot Koha Ditore.

Me një siguri të lartë e lojë të përkryer teknike, Kravos ka marrë me vete publikun në një horizont muzikor të nivelit të Mozartit sa i përket përmbajtjes e të një niveli të lartë sa i përket interpretimit. Pjesën e parë të koncertit e ka vazhduar me dy balada të Frederic Chopinit. Ka interpretuar atë “Nr.1 në g-mol, Op.23” dhe “atë “Nr.3 në As-Dur, Op.47”. Nëpërmjet tyre e ka dëshmuar veten për nivelin e lartë që ka pavarësisht moshës 16-vjeçare. Ia ka dalë që ta fitojë simpatinë e publikut duke sjellë dy prej veprave që në repertorin e Chopinit janë ndër më të njohurat.