Kulturë

“Oerknal” në rrëfimin për Amerikën me kontraste e energji

Mënyrë jo fort e zakontë për të nisur një mbrëmje, me tinguj të lartë plot gjallëri e energji. “Udhëtime të çmendura disaminutëshe” janë quajtur veprat bashkëkohore, të cilat u luajtën në natën e tretë të festivalit ndërkombëtar “DAM”, të enjten mbrëma, nga “Oerknal”, kolektivi i muzikantëve ndërkombëtarë me bazë në Holandë. Repertori që është sjellë në koncertin “Americana” vjen si një përshkrim në tri pamje të Amerikës, shkruan sot Koha Ditore.

“Cat O’Nine Tails” e kompozitorit amerikan John Zorn qe e para që hapi mbrëmjen në Sallën e Kuqe. Vepra u shoqërua me shumë dramacitet, me lojën mjeshtërore të instrumentistëve dhe të qeshurave e kërshërisë së publikut.

Një violiniste që çohet dhe merr rolin e dirigjentes, diku dëgjohen disa trokitje mbi material të fortë të instrumenteve, veprimet e shpejta të instrumentistëve dhe çdo gjë i ngjan një udhëtimi “të çmendur”. “Press Release” e kompozitorit David Lang, për solo bas-klarinetë u luajt nga klarinetisti Daniel Boeke, ishte një përjetim shumë më ndryshe i lojës në klarinetë.

Me dy vepra të John Luther Adams, “Among Red Mountains” dhe “Red Ars/Blur Veil”, përmbyllet triptiku amerikan. Të parën e ka sjellë pianisti Daniel Walden, e në të dytën i bashkohet perkusionisti Christian Smith që kanë sjellë një kombinim të rrallë të dy instrumenteve.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)