Udhëtim pianistik e vepra amerikane në “DAM”

Udhëtim pianistik e vepra amerikane në “DAM”

29 March 2019 21:03

Ashtu si në dy netët paraprake, edhe nata e tretë e festivalit “Dam” solli muzikantë të njohur botërorë, e muzikë jo të zakonshme për publikun kosovar.

Hapja e këtij koncerti u karakterizua me interpretimin e pianistes Zala Kravos, transmeton emisioni Express në KTV.

Vetëm 16-vjeçare, ajo tashmë ndërkombëtarisht njihet si një nga talentet më të mëdha ndonjëherë. Në udhëtimin pianistik muzikor, ajo solli vepra klasike e bashkëkohore.

“Sonte kam performuar stile të ndryshme. Fillova me disa nga veprat më të njohura ta Moxartit, për të vazhduar më pas me dy balada. Po ashtu, sot kam performuar dy vepra moderne, që janë edhe veprat e vetme moderne që kam pasur në repertor. E veçanta e këtyre veprave është se janë kompozuar posaçërisht për mua”, u shpreh Kravos.

Pjesa e parë e mbrëmjes së tretë përfundoi me performancën e Zalas, për të vazhduar me ansamblin muzikor “Oerknal”.

Performanca e këtij ansambli solli tri vepra te kompozuara nga kompozitorë të ndryshëm dhe secila prej tyre shpërfaqi vështrime të ndryshme për jetën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vepra e parë, e kompozuar për kuartet harqesh, solli një laramani tingujsh, duke e treguar më së miri dinamikën e jetës në Amerikë.

“Vepra që kemi performuar sonte është një ndër veprat më të çmendura që kemi performuar ndonjëherë. Kjo vepër ndryshon nga momenti në moment, gjë që e vështirëson shumë performimin. Por, besoj që ishte e çuditshme edhe për publikun. Njëherë dëgjon diçka shumë të bukur dhe, pas vetëm pak kohe, diçka të shëmtuar dhe të rëndë për veshë. Nga këto kalon në tinguj qesharakë e shumë herë edhe të papërshkrueshëm, por kjo është çfarë e veçon këtë vepër”, tha violinistja Martiana Hutchinson Siemens.

E kompozuar nga David Lang për bas-klarinetë, shoqëruar edhe me elemente te Jazzit, vepra e dytë e interpretuar nga “Oerknal” prezantoi muzikën qytetare të Nju Jorkut e Çikagos.

“Vepra që kam performuar sonte është kompozuar në vitet e ’90-a, kohë kur sapo kishte filluar eksperimentimi në muzikë. Kjo pjesë ka rrjedhur nga përzierja e popit, rokut, xhazit e muzikës industriale me muzikën klasike”, deklaroi Daniel Boeke, klarinetist.

Tingujt e veprës së tretë të performuar nga ky ansambël, sollën një përshkrim muzikor të natyrës së pasur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Sot kompozitorët eksperimentojnë shumë, që të vijnë me tinguj ndryshe. Vepra që performova sot, ngërthen në vete tinguj nga shumë këngë të ndryshme, prej gjithandej botës. Ky bashkim na lë të njohim pak nga gjithçka”, u shpreh pianisti Daniel Walden.

Nata e tretë e festivalit “Dam”, u mbyll me muzikë bashkëkohore dhe festivali do të vazhdojë me stile e muzikantë të ndryshëm, më 31mars.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme