Kulturë

“Mbrojtësi” për viganin e drejtësisë e të kauzës kombëtare

Prishtinë, 26 mars – Fëmijë i zgjuar, nxënës kurioz e i etur për dije, avokat i rrallë, mbrojtës i popullit të tij, atdhetar i madh e njeri fisnik, është përshkruar Bajram Kelmendi në 20-vjetorin e vrasjes së tij, të martën.

Dy dekada pas vrasjes së tij dhe të dy djemve Kastriotit dhe Kushtrimit, familjarët e bashkëpunëtorët e Kelmendit nuk janë mbledhur vetëm për ta kujtuar atë. Të martën, të pranishmit kanë marrë pjesë edhe në promovimin e librit, që dokumenton personalitetin poliedrik të njërit prej figurave të rralla intelektuale të Kosovës. Në një hotel luksoz, në periferi të kryeqytetit, është promovuar libri biografik, “Mbrojtësi”, me autore Valbona Mehmetin, botuar nga Botimet KOHA. I ndarë në 19 kapituj, libri sjell të gjithë jetën e Kelmendit. Nis me fëmijërinë e tij gjatë së cilës vuajti si i internuar, për të vazhduar me shkollimin si i burgosur e i persekutuar e deri tek veprat e tij profesionale e atdhetare në shërbim të Kosovës për t’u përmbyllur me kapitullin që shpjegon se si ende nuk është vënë drejtësia në vend pas vrasjes së tij më 25 mars 1999.

Redaktorja e librit, Flaka Surroi, njëherësh drejtoreshë menaxhuese e Grupit KOHA, e ka hapur fjalën e saj me kujtime të vitit 1991, ku midis të tjerësh së bashku me Kelmendin kishin marrë pjesë në Konferencën e Paqes për Jugosllavinë në Holandë. Ka shpjeguar se udhëtimi ishte bërë me shumë ndihma sherri i marrëdhënieve të çakorduara midis Këshillit për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut dhe LDK-së, që menaxhonte me atë që njihej si trepërqindëshi.

“Do të kishim dashur që libri për të, të ishte një përmbledhje biografike, për punën e tij të gjatë si avokati më i mirë që ka njohur ky vend e që do të përcillej me dokumentet e hartuara nga Bajrami, të cilat qëmoti është dashur të jenë pjesë e analeve të drejtësisë kosovare”, ka thënë Surroi. Por, sipas saj, fati pati plane të tjera për të. Ka thënë se regjimi fashist ia shoi jetën Kelmendit ende pa i mbushur 62 vjet në kohën kur Kosovës i nevojitej më shumë se kurrë.

“Jam e sigurt që shumë gjëra do të kishin qenë më ndryshe, po qe se Bajrami ende do të ishte në mesin tonë”, ka thënë Surroi. Librin e ka cilësuar si një rrëfim të përpiktë të shkruar nga një gazetare me përvojë, siç është Valbona Mehmeti.

“Fëmijëria e mohuar, pjekja e dhunshme e personalitetit në adoleshencë derisa dergjej në burg, etja e pashuar për nxënie, ambicia për ta mbytur varfërinë, bashkëshortësia e rrallë me shoqen e vet të jetës dhe profesionit, Nekiben, dhe vendosmëria për t’i sjellë drejtësi vendit të vet të shkelur me dekada e shekuj, barten te lexuesi me një përshkrim sa të lehtë e të sinqertë, aq edhe të rëndë e pikëllues”, ka thënë Surroi, e cila e ka vlerësuar Kelmendin si një vigan të vërtetë.

Katër momente me Kelmendin i ka ndarë me të pranishmit njëri prej mësuesve të tij, Shefqet Kelmendi. Ka thënë se me avokatin ishte i lidhur shpirtërisht. E ka quajtur veten me fat që i kishte dhënë mësim në shkollën e fshatit Trestenik të Pejës në klasën e pestë dhe të gjashtë nga viti 1950 deri më 1952.

“Kjo ishte njohja e parë. Ishte shpërthyes nga natyra, i etur për dije e i vëmendshëm në mësime”, ka thënë veterani i arsimit Shefqet Kelmendi. Më pas do ta takonte në Tiranë më 1964, asokohe juristi Bajram Kelmendi po shoqëronte një delegacion që kishte shkuar në kryeqytetin shqiptar për çështje ekonomike. Ka rrëfyer se më 1985, Kelmendin do ta takonte në Shkodër.

“Bajrami kishte mësuar shumë për jetën time. Folëm në telefon dhe m’u lut që ta shkruaja biografinë time si mësues pasi po përgatitej një libër për arsimtarët e Pejës”, ka kujtuar Kelmendi. E në takimin e katërt në Pejë e më pas në Prishtinë do të qëndronin më gjatë bashkë.

“Aty njoha Bajram Kelmendin e vërtetë. Njoha burrin vigan e fisnik, intelektualin e vërtetë me zemër të madhe, patriotin shekullor dhe juristin e rrallë. Njoha thjeshtësinë e madhështisë së tij, personalitetin me kulturë të gjerë, historianin e filozofin”, ka thënë Kelmendi, duke e cilësuar avokatin si nxënës, mik e mësues të tij.

Edhe aktivisti dhumëvjeçar i Amensty International, Jan Jansen, i cili kishte ardhur nga Holanda e tij që të merrte pjesë në promovimin e librit për Bajram Kelmendin, i kujtoi si një nder për të takimet me avokatin e shquar dhe veprimtarin e të drejtave të njeriut në Kosovë. "Sa herë vinim në Kosovë për të hetuar raste të shkeljes së të drejtave të shqiptarëve, në fund e takonim Kelmendim dhe prej tij merrnim vlerësime kompetente", tha ndër të tjera ai.

Autorja e librit, Valbona Mehmeti, njëherësh zëvendëskryeredaktore e gazetës “Koha Ditore”, ka kujtuar se me avokatin Bajram Kelmendi është njohur dhe ka nisur bashkëpunimin si gazetare, në një kohë shumë të rëndë për Kosovën. Ka përshkruar se ishte fillimi i 1998-s, kur Serbia luftën kundër shqiptarëve e pati intensifikuar në dy fronte.

“Njëri, ku në emër të luftës kundër ‘terrorizmit’ vriste e masakronte civilë, digjte e shkatërronte fshatra të tëra. I dyti, ku me akuzat për terrorizëm mbushte burgjet me të rinj shqiptarë, të cilët pasi torturoheshin çnjerëzisht në zyrat e Sigurimit Shtetëror Serb, gjykoheshin dhe dënoheshin me burgim të rëndë”, ka thënë Mehmeti. Sipas saj, verdiktet e tilla ishin politike dhe bazoheshin kryesisht në deklaratat e nxjerra me dhunë nga të arrestuarit, e jo në prova e dëshmitarë. Mehmeti në bazë të njohjes personale dhe hulumtimit që ka bërë për librin, ka thënë se para gjyqeve të instrumentalizuara, avokati Bajram Kelmendi nuk mbronte vetëm të akuzuarit.

“Aty e mbronte trimërisht edhe të drejtën e popullit të tij për liri e pavarësi nga një regjim që me politika gjenocidale, siç i cilësonte Bajrami, synonte ta zhdukte si popull”, ka thënë Mehmeti. Derisa ka folur për procesin e përgatitjes së librit, ka thënë se propozimi që ajo të ishte autorja e ka sfiduar pasi bëhet fjalë për biografinë e një avokati vështirë të përsëritshëm.

“Rrëfimin biografik për Bajram Kelmendin e kam ndërtuar duke u bazuar në kujtimet e familjarëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij, intervistave dhe rrëfimeve në media të bashkudhëtares së tij të jetës, Nekibe Kelmendi dhe intervistave dhe shkrimeve të tij analitike, dokumenteve të rëndësishme juridike për Kosovën që mbajnë vulën e tij, dhe në përvojën time nga njohja dhe bashkëpunimi me të”, ka thënë Mehmeti. Nëpërmjet dëshmive, Mehmeti ka thënë se në libër ka sjellë figurën komplekse të Bajram Kelmendit, jo vetëm si avokat i shkëlqyer, por edhe si atdhetar i flaktë, aktivist i të drejtave të njeriut, pajtimtar gjaqesh, por edhe si baba, bashkëshort, vëlla e mik.

Por “Mbrojtësi”, siç kuptohet edhe nga prologu i librit, s’është thjesht vetëm biografia e portreti i Bajram Kelmendit.

“Historia e jetës së tij është edhe historia gjashtëdhjetëvjeçare e Kosovës së fundshekullit të kaluar”, shkruhet në fund të prologut.

E bija e Kelmendit, avokatja Kosovare Kelmendi, ka thënë se ishte 27-vjeçare kur brenda një sekonde të vetme mori një goditje të pamëshirshme të fatit, ku jeta e saj, deri atëherë e lumtur, ndryshoi dhe bota iu përmbys. Duke kujtuar vitin 1999, kur ishte në Tiranë si refugjate, ka sjellë për të pranishmit një fjali që ia kishte thënë zonja e shtëpisë ku qëndronte. Nëna Belushë më tha: ‘Bija ime, e keqja ose të mbyt në vend ose të kalit e të bën çelik të fortë’. Ajo e keqe që më ndodhi, me të vërtetë nuk më mbyti në vend. Më kaliti dhe më forcoi. Ia dola disi të mbijetoja së paku fizikisht”, ka thënë Kelmendi. Sipas saj, për 20 vjet dëgjon miqtë dhe dashamirët duke e ngushëlluar me fjalët inkurajuese: “Hajt se ti je e fortë”. Ka thënë se askush nuk e di ferrin që për 20 vjet përjeton brenda vetes.

“Unë me një zë të brendshëm që nuk dëgjohet u përgjigjem: ‘se mos desha unë të jem e fortë, u bëra sepse nuk kisha zgjidhje tjetër”, ka thënë Kelmendi. Të pranishmëve u ka thënë se për 20 vjet jetoi me dhimbje dhe me kujtimet për familjen. Kujtimet ka thënë se i ka ruajtur me fanatizëm.

“Ëndërroja t’i kisha të gjitha të shpalosura mirë, të përmbledhura kronologjikisht, të shpjeguara dhe t’i ringjallja, t’u jepja edhe një herë jetë. Këtë gjë e dëshironte edhe mami im”, ka thënë Kelmendi, derisa ka falënderuar redaktoren dhe autoren e librit “Mbrojtësi”. Ka thënë se Mehmeti është interesuar për çdo detaj të jetës së avokatit.

“Për 20 vjet që unë përkujtoj familjen time, ky është përvjetori i parë në të cilin më janë gërshetuar, nostalgjia, mërzia e gëzimi”, ka thënë ajo në ceremoninë që është mbyllur me këngët “Veç një pikë” dhe “Kur të jesh mërzitur shumë”, nën interpretim të Albina Kelmendit e shoqëruar në kitarë nga Arnold Gashi.