Kulturë

Shfaqja “Bordel Balkan” përfundon pa incidente

Është dhënë sonte premiera e shfaqjes “Bordel Balkan”, e autorit Jeton Neziraj në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Shfaqja, e cila prek temën e ndjeshme të luftës dhe pasluftës, është dhënë pa ndonjë incident, ndonëse një ditë më parë Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishte reaguar duke paralajmëruar se do të pengojnë shfaqjen e saj, për shkak se sipas tyre shfaqja ka përmbajtje denigruese për luftën e UÇK-së.

Autori i shfaqjes, Jeton Neziraj tha se shfaqja shkoi mirë me gjithë tensioneve dhe stresit për të gjithë. Ai pohoi se ishte shumë i kënaqur me punën e aktorëve

“Më së pari ke e rëndësishme që shfaqja shkoi mirë edhe nuk pati ndonjë ekses. Ka pas natyrisht shumë tensione dhe shumë stres prej të gjithëve. Megjithatë shfaqja shkoi shumë mirë. U prit mirë, u duk që u prit mirë prej publikut dhe mendoj që për sa më përket mua si autor jam i kënaqur me punën”, tha ai.

Ndërkaq aktorja Arta Selimi tha se procesi për realizimin e shfaqjes, kishte qenë një përvojë e jashtëzakonshme për të, transmeton kp.

“Ka qenë përvojë e jashtëzakonshme. Kemi punuar intensivisht. Procesi ka qenë interesant. Ky regjisor është tepër gjenial. Unë e kom shiju secilën ditë të provave me të. Mund të them se ka qenë e jashtëzakonshme. Punë e madhe, e lodhshme, siç e patë. U krye mirë po ma merr mendja. Jam ndje shumë mirë në premierë. Besoj që edhe njerëzve ju ka pëlqyer”, tha ajo.

Edhe aktori tjetër, Ylber Bardhi, pohoi se tema që shfaqja prek është e ndjeshme, por ai shpreson se mesazhi që jepet nuk do të shkojë në vesh të shurdhër.

“Po, ka qenë temë e ndjeshme. Dhe shpresoj se publiku e ka absorbuar atë mesazhin që ne aktorët, artistët që se bashku me regjisorin dhe dramaturgun, çka kemi dashtë me thanë. Shpresoj që është kuptuar edhe s'ka me ra në vesh të shurdhër që thotë populli”, tha ai.

Shfaqja u prit me duartrokitje nga shikuesit mes të cilëve ishin edhe aktorë të njohur si Adem Mikullovci, e Xhejlane Godanci, etj.