Monarkia Austro-Hungareze dhe Shqipëria në vitet 1916-1918″, ka qenë titulli i një konference shkencore të mbajtur në Tiranë vitin e shkuar.
“Historia e plotë e njerëzimit do të shkruhet atëherë kur shqiptarët të marrin pjesë në shkruarjen e saj”. Johann Sattler, ambasadori i Republikës Federale të Austrisë në Shqipëri zgjedh këtë fjali të Maximilian Lambertz për të nisur parathënien e botimit që përmbledh kumtesat e mbajtura atëkohë. Lambertz ishte një nga albanologët austriakë më të njohur, që në 1916-1918 ishte studiuesi i vetëm i huaj anëtar në “Komisinë Letrare Shqipe”- kjo e fundit qe ‘takimi’ i parë që dha një ndihmesë të madhe në unifikimin e gjuhës shqipe.
Kumtesat/ studimet e një viti më parë përmblidhen dhe botohen në kuadër të Vitit Kulturor Austri-Shqipëri 2018 dhe vijnë si rezultat i një bashkëpunimi intensiv midis ambasadës austriake Tiranë, Ministrisë së Jashtme në Vjenë, Ministrisë shqiptare të Kulturës dhe Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë.
“Kjo përmbledhje artikujsh shkencorë, mund të cilësohet në këtë drejtim si një kontribut në shkruajtjen e historisë së njerëzimit, sepse në të kanë kontribuar profesorë historie, historianë të ushtrisë, arkeologë, studiues të muzeologjisë, studiues të gjuhësisë, politologë, albanologë nga Shqipëria dhe Austria. Këto kumtesa përbëjnë një interes të veçantë për lexuesin, pasi ato nuk paraqesin vetëm zhvillimin historik të ngjarjeve, por shkojnë përtej këtij aspekti, duke kontektsualizuar edhe influencën e zhvillimit administrativ, atij edukativ dhe shkencor, por edhe politiko-social në organizimin e mëvonshëm të shtetit shqiptar”, thotë Johann Sattler.
Kujtime e vepra
Sipas ambasadorit, për sa më sipër, mund të përmenden ndër të tjera shembuj si, ndërtimi i linjës hekurudhore të parë në Shqipëri (nga Shkodra deri në Berat), çeljen e më tepër se 231 shkollave shqipe, krijimi i Komisisë Letrare Shqipe, censusin e parë gjithëpërfshirës shqiptar etj. Ai kujton se gjatë administratës ushtarake austro-hungareze në Shqipëri, institucionet administrative, ushtria, infrastruktura, gjithashtu, edhe gjuha shqipe përjetuan një hov modernizimi. “Megjithatë, flasim për kohëra lufte dhe pushtimi, të cilat përfshijnë në zhvillimet e veta edhe shumë ngjarje negative që ndodhin zakonisht në kohëra të tilla. Prandaj në këtë botim janë përfshirë edhe këta elemente, të cilat trajtohen nga këndvështrime të ndryshme historike. Në këtë mënyrë, ky libër na jep një vështrim gjithëpërfshirës mbi ngjarjet në vend – nga Shkodra deri në Vjosë- për periudhën kohore 1916-1918 edhe më pas”, nënvizon Sattler. Ai falënderon në mënyrë të veçantë autorët e këtij libri, për kumtesat e tyre jashtëzakonisht interesante: Paskal Milo, Tamara Scheer, Marenglen Kasmi, Valentina Duka, Kurt Gostentschnigg, Proletar Hasani, Beqir Meta, Ledia Dushku, Ilir Kalemaj, Enriketa Pandelejmoni (Papa), Erëin A. Schmidl, Gentiana Kera, Anila Omari, Aljula Jubani, Bendis Kraja, Izer Maksuti, Rovena Vata, Luan Përzhita, Dorian Koçi und Skënder Bushi. Dhe kujton edhe se ekziston një këngë tipike shqiptare për feldbanin (hekurudhën) e kësaj kohe: “Tu thefshin rrotat ty o feldban, që na i more gocat, nga Berati na i çove ne Elbasan”.
Një tjetër falënderim i shkon (ish)ministres shqiptare të Kulturës, Mirela Kumbaro Furrxhi dhe stafit të saj për bashkëpunimin aktiv në organizimin e shumë aktiviteteve gjatë këtij viti të ngjeshur kulturor. Më tej ai ndalet te kontributi i drejtorit të Muzeut Kombëtar, Dorian Koçi si dhe historiani Marenglen Kasmi për koordinimin gjithëpërfshirës të ekspertëve dhe përzgjedhjen e fotografive për ekspozitën, si dhe për faqosjen e librit. Botimi i këtij vëllimi në gjuhën gjermane u mundësua përmes punës profesionale të zonjës Greta Andoni dhe zotit Florian Doschek, të cilët morën përsipër përkthimin dhe redaktimin e tij. Duke pasur parasysh marrëdhënien shqiptaro-austriake ende sot, ambasadori austriak falënderon edhe shqiptarët dhe austriakët e panumërt, të cilët përçuan kujtimet e asaj kohe, qoftë gojarisht apo edhe në mënyrë të shkruar, duke kontribuar kështu në ruajtjen e memories kolektive. “Si përfaqësues i Austrisë në Shqipërinë e bukur, kudo ku jam ndodhur, qoftë në Shkodër apo në Tropojë, në Vlorë apo në Berat, më tregohet për lidhjen e hershme mes vendeve tona. Kjo është një mirënjohje për çfarë është bërë ndër shekuj, dhe akoma më tepër një detyrë për ta zgjeruar në të ardhme këtë ndërthurje të larmishme të marrëdhënieve tona”- e mbyll parathënien ambasadori.
Historia e studimet
Nga ana tjetër, historiani Dorian Koçi vëren se raporti i “Austro – Hungarisë dhe Shqipërisë në vitet 1916 – 1918”, është një etapë e historisë së Shqipërisë, ndonëse e shkurtër në kohë, është e mbushur me ngjarje e procese të ndërlikuara të karakterit politik, ekonomiko – shoqëror e kulturor dhe si rrjedhojë krijon ndjeshmëri jo vetëm në mesin e studiuesve, por edhe në opinionin publik. Sipas Koçit, periudha kohore midis viteve 1916 – 1918 përkon me një pjesë të historisë së shtetit të pavarur shqiptar dhe njëkohësisht me atmosferën mbytëse që krijoi Lufta e Parë Botërore (1914 – 1918), veçanërisht në kushtet e një shteti të vogël të sapokrijuar. “Siç dihet edhe nga historia, territori shqiptar do të shndërrohej në shesh të luftës botërore në fillim të vitit 1916, me shtrirjen këtu të forcave të bllokut qendror, ku bënte pjesë Austro – Hungaria dhe Bullgaria, dhe ballafaqimin e tyre me bllokun e Antantës”, thotë historiani.
E shton se, është një periudhë që karakterizohet nga manifestimet nacionaliste, veçanërisht midis shteteve fqinje, të cilat morën formën e luftës së armatosur, të shoqëruar me aneksim territoresh në dëm të shtetit shqiptar. Për Koçin, në kontekstin e trazirave të luftës, të mosmarrëveshjeve të brendshme, të përpjekjeve qoftë të karakterit diplomatik dhe me anë të luftës për mbrojtjen e kufijve, etj., marrëdhëniet midis dy vendeve shfaqën edhe përpjekje për të rigjallëruar disa aspekte të tjera të jetës, siç ishte kultura dhe shkenca. Në këtë kuadër, larmia e ngjarjeve që gjenerojnë marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Austro – Hungarisë midis viteve 1916 – 1918, është mjaft e madhe pavarësisht kufizimit në kohë të tematikës së konferencës. Dr.Dorian Koçi nënvizon se pikërisht, natyra dhe intensiteti i raporteve të tyre, jo vetëm në fushën politike diplomatike, por duke prekur dhe trajtuar fusha të ndryshme të impaktit apo influencës, si zhvillimet kulturore, arsimi, shkenca, arkeologjia, muzeologjia dhe gjuhësia, bënë bashkë studiuesit, të cilët ndan rezultatet e tyre në fushat që ata përfaqësojnë.
“Si organizatorë dhe vend pritës i aktivitetit Muzeu Historik Kombëtar u përpoq ta ndajë konferencën në sesione që trajtojnë çështje të historisë, si politika e Austro – Hungarisë ndaj Shqipërisë, roli i forcave ushtarake shqiptare, qëndrimi i Austro – Hungarisë ndaj Shqipërisë gjatë Luftës së Parë Botërore; një tjetër seancë ju dedikua impaktit të Austro – Hungarisë në arsim, kulturë dhe në gjuhën shqipe, ndërsa një seancë e veçantë ju kushtua arkeologjisë dhe muzeologjisë, ku u parashtrua roli i austriakëve në fushën e identifikimit dhe hulumtimit të monumenteve dhe vendbanimeve arkeologjike, por edhe një pjesë nga koleksioni i objekteve që u zbuluan gjatë kërkimeve të tyre”, e mbyll Koçin fjalën e tij/ Fatmira Nikolli –.Gazeta Shqiptare.