Kulturë

Kori Siparantum i Pejës në Romë

Nga data 6-12 mars 2019 kori Siparantum nga qyteti i Pejës do të qëndrojë në qytetin e Romës gjegjësisht në kryeqendrën e muzikës korale, me ç’rast do t’i shfaqin dy koncerte të muzikës korale, njërin në Chiesa di San Salvatore in Lauro (afër Vatikanit) dhe tjetrin në Basilica San Antonio - Pontificia Universitá Antonianum, Roma.

“Sukseset tona po rriten çdo ditë, dhe ky është një sukses jashtëzakonisht i rëndësishëm për të gjithë ne. Po vërtetohet që puna është dëshmi e suksesit. Sigurisht që ky udhëtim do të jetë ndër më të rëndësishmet. Jam shumë i lumtur që brenda dy viteve kemi realizuar koncerte të shumta dhe programe të larmishme brenda dhe jashtë vendit”., u shpreh Memli Kelmendi, dirigjent i korit.

“Me të vërtetë kemi punuar shumë, por kënaqësia çdoherë ka qenë që të mendojmë dhe realizojmë gjëra të bukura dhe kjo po dëshmohet me pjesëmarrjet tona brenda dhe jashtë vendit. Kudo që jemi paraqitur deri më tani, organizatorët dhe audience janë ndarë të kënaqur me ne, prandaj konsideroj që ky është një motiv shtesë për të vazhduar tutje”, u shpreh Fatmir Bajraktari, kryetar i korit.

Rikujtojmë që kori Siparantum më parë është paraqitur në Kroaci, Francë, Festivalin ndërkombëtar të Koreve Botërore Nancy Voix Du Monde, dhe tani në Romë, Itali.

“Aktualisht kemi edhe dy ftesa të tjera ndërkombëtare për vitin 2019, por meqë udhëtimet tona kanë një kosto të lartë që për ne është e papërballueshme për shkak të numrit të madh të koristëve, jemi të detyruar të përcaktohemi për njërën nga këto”, u shpreh Memli Kelmendi.

Koncertet do të drejtohen nga dirigjenti permanent I korit Siparantum, Memli Kelmendi dhe kompozitori dhe dirigjenti I mirënjohur kroat Josip Degl’ Ivellio, me të cilin Siparantum ka pasur edhe më herët bashkëpunime.