Kulturë

“Ulpiana” si në kohën e inaugurimit, punonjësit dy muaj pa paga

Graçanicë, Prishtinë, 4 mars – Nëse kërkohet ndonjë shembull se si shteti inauguron diçka dhe e braktis atë, atëherë parku arkeologjik “Ulpiana” do të ishte njëri prej tyre. Degradimi është e vetmja gjë që mund të shihet në këtë lokalitet arkeologjik.

Prej tetorit të vitit 2016, kur është inauguruar si parku i parë arkeologjik në Kosovë, asnjë hap nuk është ndërmarrë për konkretizimin e premtimeve. Niveli i moskujdesit institucional ka shkuar deri në atë pikë saqë gjashtë punonjësit e Parkut nuk janë paguar tash e dy muaj. Janë tre punonjës që shërbejnë si mirëmbajtës dhe rojë gjatë ditës dhe tre të tjerë që shërbejnë vetëm si rojë. Kontratat e tyre me Institutin Arkeologjik të Kosovës janë për një muaj. Në fund të javës së kaluar kanë nënshkruar kontratat për muajin mars. Por shteti u ngelet borxh për pagat e janarit e të shkurtit. Katër prej punonjësve të dielën i kanë thënë gazetës se kësisoj e kanë të vështirë të vazhdojnë të punojnë.

Boban Veliq është nga Graçanica. Ka një dekadë që punon në lokalitetin arkeologjik të Ulpianës. Paga e tij, varësisht prej netëve që ruan, sillet rreth 300 euro në muaj. Është vetë i pesti në familje.

“Dy fëmijë i kam në shkollë e nënën e kam të sëmurë. Besoni se kemi probleme me shpenzimet ditore. Gjendja ka ardhur deri aty saqë frigoriferin e kemi të zbrazët. Kam kredi dhe nuk kam munduar ta paguaj këta dy muaj”, ka thënë ai. Ndihet shumë i zhgënjyer. “Të thërret banka për kredi, të thërret gruaja pasi ka nevojë për gjëra elementare. Më mirë unë të qëndroj këtu e të mos shkoj fare në shtëpi”, ka thënë Veliq me ironi.

Kolegu i tij Boban Toniq udhëton nga Lipjani për në Ulpianë. Bën 30 kilometra vajtje-ardhje. Në kabinën që ndodhet në hyrje të Parkut, ai shpjegon se i duhen të paktën 60 euro vetëm për transport gjatë muajit.

Qamil Sinani ka përvojë sa kolegu i tij Veliq. Ka thënë se gjendja është duke u bërë e padurueshme.

Janë bërë dy muaj prej kur nuk janë paguar shpenzimet komunale për Parkun. Vitin e kaluar “Ulpiana” u vizitua nga 33 mijë e 224 veta sipas një regjistrimi që bëhet në hyrje të Parkut. E në shkurt të këtij viti janë regjistruar 1 220 veta.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")