Kulturë

Komedia “Karnavalet e Korçës” të enjten premierë në TKK

Një tekst klasik i dramaturgjisë shqiptare, i shkruar gjatë vitit 1936, në të cilën rrëfehet historia e një familjeje shqiptare të ndodhur në Korçë, do të shfaqet premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Komedia e shkruar nga satiristi Spiro Çomora, pritet të sjellë në skenë tregimin e ndodhur në qytetin e serenatave, ku dy prindër egoistë kanë synim ta martojnë me çdo kusht vajzën tyre, duke e vënë atë në situata komike, transmeton emisioni Express në KTV.

Regjisori Altin Basha, deklaroi se kjo komedi shfaq peizazhin e jetës së një shekulli më parë që zhvillohej në Shqipëri.

Dymbëdhjetë aktorë do të luajnë në personazhet e kësaj shfaqjeje.

Elementet e kësaj shfaqjeje do të sinkronizohen me muzikën të realizuar nga kompozitori, Trimor Dhomi.

“Karnavalet e Korçës” ishte votuar nga Këshilli Drejtues për të qenë pjesë e repertorit të rregullt të TKK-së për vitin 2019.

Premiera e komedisë “Karnavalet e Korçës”, prezantohet më 21 shkurt në Teatrin Kombëtar.