Kulturë

“Piramida”e Tiranës, muzeu më i nëmur në botë!

Kush kalon ditët e fundit para Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës “Pjetër Arbnori apo ish-Muzeut “Enver Hoxha”, do ta kapë një trishtim instiktiv. Dera hyrëse dhe mjedisi frontal i të ashtuquajturës “Piramidë” janë shkatërruar krejtësisht dhe bjerrja vazhdon me forcë për çdo ditë. Në atë që jemi mësuar në kryeqytetin tonë, zakonisht prishjet i paraprijnë modifikimeve ose shkatërrimeve. Trishtimi justifikon edhe pafuqinë e njerëzve për të ruajtur gjërat e mira të qytetit tonë, por edhe bjerrjen pa kthim të një godine që është ende e re dhe kurrë nuk iu gjet justifikimi i duhur funksionalitetit të saj.

Duke kaluar pak në retrospektivë, publiku kryeqytetas u trand realisht, kur gati tetë vjet më parë, në përçartjet e atëhershme politike, një vendim i qeverisë Berisha, vendosi të prishë Ngrehinën muzeale dhe ta kthente në ndërtesën e re të parlamentit. Siç ndodh rëndom u gjendën arkitektët që e mbështetën plotësisht dhe e deklaruan padobinë e objektit, të tjerët që sollën maketet e godinave të reja mbi shkatërrimin e saj(u përgatitën disa syresh në sallat e Kuvendit) u shtuan kinset që e identifikuan si mbeturinë të komunizmit, ndërtesën e vjetër gati 30-vjeçare (!!!), kurse një masë e madhe publiku nënshkroi një peticion në mbrojtje, për të mbajtur gjallë, një prej simboleve të kryeqytetit.

Ish-muzeu “Enver Hoxha” u përurua në vitin 1988 dhe u realizua nga arkitekti i ndjerë Klement Kolaneci dhe bashkëshortja e tij, Pranvera Hoxha, respektivisht dhëndri dhe e bija e personazhit, të cilit i ishte kushtuar ngrehina. Arkitekti, në të gjallë, në kohën e Demokracisë do ta përmendte shpesh se godina mund të modifikohej lehtësisht për funksione të tjera, kurse sa i përket formës së saj arkitektonike, që gjatë lëvizjes studentore të Dhjetorit 1990, u pagëzua si “Piramida”, ai e shpjegonte lehtësisht dhe qartë se kishte formën e një shqiponje.

Godina e mrekullueshme sa i përket hapësirave ruan ende një formë harmonioze, kurse arkitektët tanë me këtë zgjidhje tejkaluan një nga detyrat e vështira të objekteve të këtij lloji. Për specialistët godina është e vlerësueshme në çdo kohë dhe kjo i bënte nder historisë sonë të arkitekturës, paçka se shumë kolegë të Kolonecit do ta hidhnin turpërisht poshtë. Paradoksalisht, shumë syresh gjenin gjithnjë justifikime për godinat në epokat historike që nga periudha e perandorisë osmane, monarkisë, fashizmit, periudhës sovjetike, nuk mundeshin të justifikonin fatin e godinës të ngritur me aq shumë vështirësi dhe me kosto të lartë për vendin.

Autori mendon sërish se Debati për “Piramidën”, paçka se është folur do të bëhet një qendër e madhe inovacioni, duhet të risjellë apelin e madh që kjo godinë duhet të bëhet Bibliotekë Kombëtare, në mënyrë që të justifikojë rëndësinë e vet, por edhe t’i japë zgjidhje problemit pa zgjidhje të këtij institucioni. Për fat të keq, megjithë punën gati heroike të punonjësve të saj, Biblioteka e sotme Kombëtare vuan pamundësinë e kryerjes si duhet të funksioneve të saj për shkak të vendit, por edhe hapësirave të duhura. “Apelet e zyrtarëve të saj, kushtet jo të mira me të cilat mirëmbahen sot ekzemplarët e rralla, por edhe vëllimet e shumta të dëmtuara kanë nxjerrë imperativin, që godina e Bibliotekës duhej të ishte dikund tjetër. Duket se mungesa e zërit për të përfaqësuar si duhet këtë problem i rëndon të gjithë institucionet tona të kulturës, që nga Ministria e Kulturës që duhen vlerësuar nga ana tjetër për rezistencën që i bënë Berishës dhe strukturave të tij për të prishur, por në rresht të tjerave”, kemi shkruar pak kohë më parë.

Nuk do shumë punë, paçka se vendi ynë në këto momente ka probleme të mëdha. Ndoshta me një modifikim fare të lehtë arkitektonik, Piramida mund të bëhej fare mirë Biblioteka Kombëtare, duke harmonizuar të gjithë interierin, mjediset e saj ndihmëse, por mbase edhe ndonjë shtesë e çfarëdo rëndësie mund ta ndihte shumë objektin, duke na dhënë një simbol identiteti kulturor, që Shqipëria nuk e ka sot e kësaj dite. Një shembull i bukur është ngrehina e Bibliotekës së Prishtinës, e cila përcjell në format e saj dhe një simbolikë të duhur për qytetin. Duke respektuar zgjidhjen, kjo bibliotekë mund të ofrojë dhe alternativat e jashtëzakonshme të kibernetikës, duke i vendosur brenda bibliotekën dhe duke paraprirë me zgjidhjet e saj.

Biblioteka Kombëtare u inincua më 10 Korrik 1920 nën drejtimin e prof. Mati Logorecit, që u komandua asokohe nga Ministria e Arsimit. Në fillim ishin vetëm 3000 vëllime në ngrehinën e parë që shërbeu si bibliotekë, kurse sot ajo ruan thesarin kulturor të shkruar të kombit tonë ndër shekuj. Në të gjendet libri më i vjetër i shqipes (kopja e riprodhuar nga At Justin Rrota e “Mesharit” të Gjon Buzukut). Karl Gurakuqi do t’i jepte një frymëmarrje dhe si drejtori i parë i përkohshëm do të bëjë inaugurimin simbolik të institucionit më 28 nëntor 1922. Kjo është historia, por përjetësia e këtij institucioni nuk mund të jetë kurrë aty, të paktën me fytyrën që ka Shqipëria pas 110 vjetësh ekzistencë si shtet.

Për fat të keq, katandisja e këtij institucioni në këtë formë është një kambanë e trishtë për të gjithë kulturën shqiptare/Ben Andoni, Milosao.