Kulturë

“Dinastia Marubi”, fotot që ndriçojnë portretin e qytetëruar të Shqipërisë

Ekspozita “Dinastia Marubi: Njëqind vite të studios fotografike shqiptare” e kuruar nga Kim Knoppers u çel në Muzeun Kombëtar “Marubi”. Për publikun prezantohet një përzgjedhje imazhesh nga arkiva e Marubëve (1856- 1959), që kanë qenë pjesë e ekspozitës me të njëjtin titull të hapur në Muzeun e Fotografisë FOAM Amsterdam, në vitin 2016.

Ekspozita në Amsterdam më 2016 u konsiderua një hyrje në historinë e pasur fotografike të një vendi të izoluar europian, që shpesh është neglizhuar. Për këtë ekspozitë në Muzeun e Fotografisë së Amsterdamit “FOAM” mes të tjerash thuhej se janë tre breza fotografësh që realizuan portrete në studio me një spektër të gjerë të njerëzve, duke nisur nga borgjezia urbane, barinj, perandoria osmane dhe Mbreti Zog, duke mos përjashtuar aktorë të famshëm e piktorë.

Rreth vitit 1850, jo shumë kohë pas shpikjes së fotografisë, italiani Pietro Marubi mbërriti në Shkodër. Aty ai ngriti studion e parë fotografike në rajon, duke përdorur procesin e pjatës së lagësht. E vendosur në godinën e re, te pedonalja e qytetit, tani muzeu “Marubi” ka trajtën moderne të paraqitjes së një muzeu bashkëkohor, ku ruhen mbi 150 mijë negativë xhami, duke u vlerësuar për arsyet historike, sociologjike, kulturore dhe antropologjike, po në radhë të parë si foto artistike.

Në to janë fokusuar ngjarjet nga historia e trazuar e Shqipërisë nga kohërat osmane në periudhën e komunizmit, ritualet, kostume folklorike, portrete, etj. Pas vdekjes së Pietros, Kel Marubi u bë trashëgimtar legjitim i studios. Ai e pasuroi fototekën me figura të njohura të kohës, Fishtën, Migjenin, Koliqin, Galica, Gjoluli, Curri, Noli, Zogu etj, si edhe me foto nga njerëz të zakonshëm me kostume kombëtare, pamje nga jeta e qytetit dhe e fshatit, etj. Në vitin 1970 e gjithë pasuria prej 150 mijë negativësh i kaloi shtetit.

Kjo ekspozitë vjen si një bashkëpunim me Muzeun e Fotografisë FOAM në Amsterdam, Hollandë. Knoppers është një historiane arti dhe kuratore në Muzeun e Fotografisë FOAM, Amsterdam. Që nga viti 2011, ajo ka punuan me ekspozitat personale të Melanie Bonajo, Adam Broomberg dhe Oliver Chanarin, Anne de Vries, JH Engstrom dhe Taiyo Onorato e Nico Krebs dhe ekspozita në grup si “RE-Search: Alumni Rijksakademie”, “Collaborate: On Artists’ Collectives” dhe “Back to the Future. The 19th century in the 21st Century”.

Kim Knoppers është edhe themeluese e “Artists’ Recipes”, e cila eksploron lidhjen mes artit dhe ushqimit. Shkruan rregullisht për Foam Magazine si dhe për katalogë e libra artistësh. Jeton dhe punon në Amsterdam dhe fusha e saj studimore lidhet kryesisht me zonat e ish Perandorisë Osmane./ATSH