“Çejzi”, praktikë e ndërlikuar e punëdores e shfaqur përmes një estetike të veçantë, e filluar nga femrat që në moshë të re si përgatitje për martesë.
Përgjatë kohës, kjo traditë ka pësuar ndryshime, duke kryer funksione të ndryshme, kryesisht të lidhura me çështjet e trashëgimisë materiale, zbatimi i së cilës mund të konsiderohet si tregues i rendit normativ gjinor dhe patriarkal, të funksionimit shoqëror.
“Çejzi” ngërthen në vete edhe vlera të trashëgimisë kulturore, ndërsa sot më shumë shihet si praktikë që sjell marrëdhënien mes gruas dhe punës, transmeton emisioni Express në KTV.
Doruntina Ukimeri, artiste dhe grua e kohëve moderne, e ka sjellë çejzin kosovar në një dimension ndryshe. I ekspozuar në Hapësirën “Motrat”, çejzi i saj i punuar me filigran në letër, zgjoi interesim të madh te publiku.
Punimet me grep, që njihen si tentene, çorapet dhe goblenët e qëndisur, të punuara me një teknikë mjaft delikate, paraqesin transformimin që ka pësuar çejzi si traditë shqiptare.
Punimet e ekspozuara në Hapësirën “Motrat”, janë versioni i vetëm i çejzit që Doruntina e ka realizuar.
Trashëgimia kulturore është burim frymëzimi për shumë individë kreativë, të cilët risjellin traditat e vjetra kosovare në mënyrë artistike e të gërshetuara me elemente moderne.
Sipas njërit nga pjesëmarrësit, edhe vite më parë, çejzi është konsideruar vetëm si ruajtje e traditës.
“Çejzi” i Doruntina Ukimerit do të jetë i ekspozuar në Hapësirën “Motrat” deri me datën 20 shkurt, ndërsa do të përmbyllet me një diskutim të hapur në lidhje me marrëdhënien mes artit dhe traditave.