Kulturë

Pianistja Lule Elezi realizon dy koncerte në Gjermani

Pianistja kosovare Lule Elezi po vazhdon paraqitjet e suksesshme jashtë vendit e sidomos ato në Gjermani.

Një nga instrumentistet kosovare më aktive në skenën evropiane, së fundi ka ndaluar në disa qendra me koncerte recitale dhe jo vetëm, transmeton emisioni Express në KTV.

"Pallati i përrallave" në Eberswalde të Brandenburgut të Gjermanisë qe nikoqir i pianistes kosovare me një koncert në organizim të Fondacionit "Hoeck". Elezi fillimisht interpelojë vepra nga Betoven-i derisa në pjesën e dytë e shoqëruar nga sopranoja gjermane Brigitte Bergmann interpretuan vepra nga Puçini, Bize dhe Llehar.

Përveç ovacioneve koncerti i dyshes u lavdërua edhe nga kritika gjermane.

Ndryshe Elezi vitin e ka nisur mbarë dhe suksesshëm. Pikë ndalesë tjetër pati edhe qytetin e Potsdam-it.

Vepra nga Shopeni dhe Bethoveni ishin programi që Elezi interpretojë në ceremoninë tradicionale të Forcave të Armatosura Gjermane e organizuar në "Nikolaisaal". Kjo në prani të personaliteteve nga fusha e politikës, kulturës dhe jetës publike gjermane.

Gjatë shkurtit Elezi do rikthehet me një tjetër koncert në Berlin derisa së bashku me sopranon Adelina Paloja u prezantuan me një koncert në Strasburg të Francës.