Prishtinë, 13 shkurt – Qeveria e Kosovës i ka dhënë vetes të drejtë që të vlerësojë nëse duhet financuar një projekt kinematografik apo jo. Të martën, kabineti qeveritar ka marrë vendim për ndarjen e 180 mijë eurove për financimin e realizimit të filmit “Lojë jete”, me skenar e regji të Luan Kryeziut. Mjetet do t’i marrë nga fondi rezervë. Projekti prezantohet si bashkëprodhim midis Kosovës e ShBA-së dhe për temë ka çështjen e grave të dhunuara.
Në mbledhje është prezantuar si propozimvendim i Ministrisë së Kulturës. Por në anën tjetër, ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, i cili gjendet në Berlin, i ka thënë gazetës se MKRS-ja nuk e ka bërë këtë kërkesë. Por në cilindo version, vendimi i Qeverisë është në kundërshtim me Ligjin për kinematografi, sipas të cilit është Qendra Kinematografike e Kosovës ajo që i vlerëson projektet dhe vendos për subvencionimin e filmave me mjetet që ndahen nga shteti për këtë fushë. Më herët, për vendime të tilla gjykata ka shqiptuar dënime.
Propozimvendimi për përkrahjen e realizmit të filmit “Lojë jete” ishte pika e dhjetë e rendit të ditës në mbledhjen e kabinetit qeveritarë të martën.
“Është shqyrtimi i propozimvendimit për përkrahjen financiare të filmit ‘Lojë jete’. Është Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, ka thënë kryeministri Ramush Haradinaj.
Zëvendësministrja e Kulturës, Leonora Morina-Bunjaku, ka thënë se sa i përket kësaj pike të rendit të ditës, “është në rregull”, mirëpo Ministria e Kulturës nuk ka mjete financiare të planifikuara për këtë film.
“Andaj nëse gjenden mundësi të tjera, do të thotë fonde të tjera nga Qeveria, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e mbështet”, ka thënë Morina-Bunjaku.
Kryeministri Haradinaj e ka pyetur atë për shumën që kërkohet.
Kimete Berisha është zyrtare për kinematografi në Ministrinë e Kulturës.
Ajo i ka thënë gazetës se me dijeninë e saj nuk ka pranuar një kërkesë për financim të ndonjë filmi.
(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")