Kulturë

Albanologjia, krenari e shpërfillur

Teksa mosha e pensionit vjen dhe ti i jep “lamtumirën” një institucioni shkencor unik dhe elitar, siç është Akademia e Studimeve Albanologjike, sepse përbri urimit: “Ta gëzosh pensionin, rri në paqe tani bablok, pi kafe me shokët, hiq dorë!”, ja ku të vjen një tjetër porosi, tashmë jo nga të tjerët, por nga thellë vetes: “Ç’po bëhet vallë me institucionin ku ti kalove një jetë, pse ka mbetur në një situatë as mish e as peshk”? Dhe shqetësimi, do-s’do, të ha përbrenda gjersa syri i mbyllur i shtetit vijon ende, me kokën mbi jastëk, në dremitjen e ëmbël dhe shpërfilljen ndaj tij?! Ah! Huqi i vjetër i fjalës nuk më ikën, andaj po i them dy fjalë, jo aq për ata që kanë dalë në pension nga tryezat studimore të këtij institucioni, as për ata që rrinë ende kërrusur mbi libra (sepse i heqin mbi kurriz), por për ata që kanë në dorë “qesen” e shtetit, “ylefenë”, siç do t’i shpotiste Çajupi po të rronte… Dhe dhembja thellë meje, e shumë të profesorëve të tjerë si unë, struket e gërryen si krimbi tek ankohemi, shkruajmë, shajmë, klithim, apelojmë, ëndërrojmë. E ç’mund të bëjmë tjetër ne, veçse të luftojmë si gladiatorët me shpatën e fjalës, ani pse patrici a perandori atje në lozhe mund të tallet me ne?!

Mua më dhemb thellë gjendja dhe statusi i këtij institucioni vetanak, ku i shumëlakuari identitet kombëtar që ai ka për detyrë ta artikulojë, vjen e shpërfaqet me vështirësi, kërrusur nëpër golle keqkuptimesh e shpërfilljesh, përmes tkurrjeve të vazhdueshme të personelit dhe pamundësive të shumëfarta në kërkimin, hartimin dhe promovimin e produktit të tij shkencor. E kam parë gjithë këto vite dhe e shoh atë si të braktisur, institutet dhe punonjësit e saj më ngjajnë si ato këmbët e zbathura të “Djalit plangprishës” nëpër arratitë dhe pluhurishtën e aventurës, thuajse si në zgripe mbijetese, në vend që kjo akademi unikale të spërndritej e të lumnohej përmes hulumtimeve e botimeve të bollshme, të begata e të shumëfarta, në lamitë e gjuhës dhe historisë, antropologjisë dhe arkeologjisë, artit dhe letërsisë, folklorit dhe dijes shqiptare. Kur mendoj atë seriozitet dhe disiplinë të rreptë shkencore dikur, më vjen të klith nga dëshpërimi prej moskokëçarjes së sotme. Afërmendsh, unë e di se botimi i monografive dhe librave të ndryshëm nga katër institutet e Akademisë së Studimeve Albanologjike është shtuar këto vitet e fundit, madje është dyfishuar dhe vitin që mbyllëm arriti diku te 40 tituj, ndofta dhe më shumë. Por a janë mjaft? Në raport me nevojat e shqyrtimeve të domosdoshme, a janë vërtet “kurora” bukurie librat tanë, a janë spikama dhe vlera të shpirtit e gjenisë krijuese të këtij kombi, historisë së tij?! Unë e di se ishte një akt vlerësimi ngritja e statusit të saj nga Qendër e Studimeve Albanologjike në Akademi.

Bukur fort! Por një letër a një firmë presidenciale, kur mbetet përjashtimisht e tilla, pra kur nuk vetëshprehet në dimensionin dhe misionin që kjo akademi ka, e përkthyer në buxhet, përkrahje e prestigj, është njësoj sikur t’i thuash punonjësve të saj: “Merre me lëng se mishi mbaroi!” Po. Institutet tona janë tkurrur për dreq. Që të bëhet jetë shkencore në një departament duhen disa punonjës në po të njëjtën fushë a periudhë studimi, ose afër tyre? Mirëpo këto kushte nuk janë më. Unë kam lënë mendjen e kokës kur një institut homolog për studimin e arteve në Bullgarinë ballkanike kishte afërsisht 100 punonjës shkencorë e ndihmës, ndërsa ne këtu, në Shqipërizën tonë “bjeri t’i biem”, e shkrimë përfare Qendrën e Studimeve të Artit me 12 punonjës që kishte në vitin 2007, me reformë-mballomën “shkurto këtu e prish atje”, dhe u katandis e gjora në 4 punonjës, e përfshirë në strukturën e ish Institutit të Kulturës Popullore, sot e quajtur Antropologji kulturore. Pra 100 me 4.

Tmerr! Dhe godina ku ngrihet ky institut është nga më prestigjiozet e Sofjes, ish-shtëpia e mbretit, ndrit, me kushte komode për studim. Ndërsa Akademisë së Studimeve Albanalogjike ia grabitën ditën për diell edhe mjediset e reja që kishte bërë bashkangjitur godinës ekzistuese me fondet e saj, duke sakrifikuar edhe honoraret e punonjësve. E pse? Se u dashkeshin strehuar ca kolltukofagë të tjerë. Dhe s’i ktheu një kokërr leku për kompensim. Vend në Bashkimin Evropian Bullgaria, por ama nuk i shkrin institutet e veta që flasin për vetjakësinë e atij kombi. Po sikur të bëjmë llogari kësisoj me institutet e tjerë, sa keq na del llogaria?! S’më vjen turp ta them: një katastrofë! Para vitit 1990 kishte mbi 500 punonjës në institutet albanologjike, sot gjithë-gjithë 130. Po pse, “xhaxhi Enveri” më shumë i paska dashur këto institute, të cilat u bënë me 40, 50 e 60 punonjës?

Apo saora do më thotë ndokush: “I donte për propagandë, si altoparlant të ideve të tij dhe PPSH!” S’dua t’i futem këtij lumi gjithë naivitete e mëri të bartura, por ama pozita e studiuesit shkencor ishte ku e ku më e favorizuar se sot. Jo thjesht te paga, në raport me kategoritë e tjera sociale e profesionale, por te prestigji më së pari. Sa e ka pagën, të lutem, një profesor tek ne sot? Është dyfish më pak sesa paga e një profesori në Kosovë? Epo kësaj ç’t’i thuash? Unë kam 20 vjet që jap leksione aty dhe cilësia e mësimdhënies nuk është aspak më e mirë se e jona? Vallë ka më pak para shteti shqiptar sesa Kosova? Thuajse po njësoj si në Kosovë është edhe paga e një profesori në Maqedoni, Serbi, më shumë në Bullgari, lëre Kroacia?! Dhe mua më pickon pyetja: Vallë ajo burokracia e shteteve aty, idiote qenka që vendosin të tilla paga inkurajuese për elitën shkencore të vendeve të tyre? Apo mos vallë janë idiotë këta burokratët tanë të Ministrisë së Arsimit e më sipër, që bëjnë politikën e buxhetit?! Jo, ata e dinë se përmes këtyre elitave mbahet ndezur zjarri prometeian i dritës, i dijes, sepse Prometeu ishte sjellës i dijes hyjnore te njerëzit. Nëse ju këtë shkëndijë prometeiane zotërinj qeveritarë e fikni, njerëzit shpejt kthehen në gjendjen e barbarisë dhe të kafshës, siç po kthehen pak nga pak ndër ne, pa një arsim cilësor, pa universitete që kanë dritë brenda tyre e jo terr, bërllok.

Të gjithë ju kolltukofaqë në këta 30 vjet e fusni turirin në dhjetëra borde, ndërsa një punonjësi shkencor që boton një libër në mijëra net punë e rraskapitje, ia keni hequr të drejtën e honorarit! Turp e faqja e zezë!… Ju lakmiqarë, që gjithkund spikasni për vjedhje parash, një studiuesi nuk ia jepni hakën që i takon me djersën e ballit, sepse nuk jepni buxhetin e mjaftueshëm për shpërblimin e punës shkencore. Dhe duke mos e shpërblyer, ju sillni barazitizmin, mungesën e konkurrencës dhe vlerësimit të diferencuar, ju e topitni mendjen pjellore, doni ta shkretoni atë, nuk e lartësoni por e poshtëroni, ju me doktoraturat tuaja të blera, ju që përkrahni padijen dhe idiotësitë, mungesën e stimulit dhe konkurrencës. Një profesor nuk del nëpër mitingje, i mjafton vetvetja, puna e heshtur e pa bujë mbi libra. Por sa e ndihmoni ju atë? Rreth 1000 tituj librash financon qeveria e Maqedonisë më të vogël se ne, por sa para jep, të themi, buxheti i shtetit për librat tanë, nënkupto promovimin e kulturës kombëtare? Pse, i dashur shtet, nuk jep pesë lekë që Shqipëria të bëhet me një Enciklopedi serioze me 10 a më shumë vëllime, projekt i kësaj akademie, i stopuar nga Ju. Jemi i vetmi vend në Evropë pa të.

Turp dhe prapë turp! Dhe unë mund të flisja për kolana botimesh, që gëlojnë nëpër ide e projekte studiuesish të hartuara tashmë. Jo rrallë studiuesit paguajnë vetë suplemente të kostos së librave të tyre. Madje shumë syresh mbushen me nga një kapicë librash për t’i shitur, kinse e konvertuar kjo si 40% e vlerës së të drejtës së autorit, që atij i takon me ligj. Mirëpo nëse ligji ia jep vlerën monetare, Maliqi ia heq. Çfarë poshtërimi?! Dhe mbushen magazinat me libra stoqe, nuk shiten. Tek po merrja 150 kopje të një libri tim, magazina rënkonte nga stërpesha e tyre që po kalbeshin aty. Unë gjykoj se botimet e ASA nuk janë salcra për të shtyrë orët e plazhit apo për të vrarë pikëllimet erotike të femrave.

Ndryshe nga botimet letrare, që kanë më shumë lexues, këto botime janë të destinuara për në biblioteka – bashki, shkolla, universitete, institucione shtetërore, gjer dhe ambasada – si pjesë e ruajtjes së dijes. Po dhjamë nga pleshti do nxjerrë shteti shqiptar vallë, që i kushtëzon honoraret e të drejtës së autorit me shitjen e librave të kësaj akademie? Pse s’falen këta libra stok nëpër institucionet që thash më sipër, t’u hyjnë në punë lexuesve të kualifikuar, nxënësve, studentëve, kujtdo që ka interes? Shtet më shtet…

Universitetet tona publike, të shpërfillura ndër vite nga shteti, nuk shpërndajnë dije “epistimiologjike”, as “llambën e Diogjenit”, siç quhet, por janë katandisur si mejhane të mëdha ku hyjnë e dalin studentë e pedagogë, pinë kafe e marrin diploma. S’merren vesh as kriteret e përcaktimit të teksteve universitare, as fuqia dhe ekuivalentimi i diplomave, as rekrutimi i personelit të ri, lëre pastaj fitimi i titujve akademikë si doktor, profesor i asociuar dhe profesor. Nga shandanët a pishtarët e ndezur të kësaj drite diturie, më shumë se kurrë ato duhet të rrinë të shtrënguara fort nga duart e instituteve të Akademisë së Studimeve Albanologjike. Po e dini ç’bëhet me mendjet e “ndritura” të burokratëve të qeverisë. Njësoj si “Gomari i Baba Tasit” të Fishtës, këta gjydyrimë ia suprimojnë të drejtën e mbrojtjes së titujve shkencorë kësaj akademie, që së paku, sa i takon kërkimit shkencor, është mirëfilli e tilla dhe e patejkalueshme. Por më erdhi një fjalë në vesh se po e korrigjokan. OK, bëhen dhe gabime, por jo kaq të trasha?!

Unë e di fort mirë, dhe nuk i shpëtoj dot përgjegjësisë së korruptimit flagrant që ndodhi me dhënien pa qesim të doktoraturave, ku o burra, kush e kush të ngarkonte sa më shumë të tilla në shpinë, si hamejtë thasët e çimentos, për të fituar ca më shumë para nga sa u jep shteti rrogë. Kjo specia e doktorantëve, si zombit që dalin me qindra, i shqyen dyert, dhe na u bë deti kos! Universitetet private i degraduan fare, nga 300 copë. O Zot! Të bëheshe “Doktor i Shkencave” motit duhej b… Po ku është krenaria e dikurshme e një Eqrem Çabej, Aleks Bude, Shaban Demiraj apo Kristo Frashëri? Janë dimensione të mëdha.

Nuk bëhet kollaj figura e një studiuesi me dimensione të tilla, duhen male librash, vullnet fort i madh, ulur në tryezën e punës gjer në harrim të vetes, të gruas, të ushqimit… Dhe modele të tilla janë duke u shuar. Po pse? Unë fajin kryesor ia hedh pavëmendjes së shtetit, verbërisë së tij. E si mund të bëhet një studiues i tillë, kur pozita e tij sociale ka rënë përtokë?! Një profesor sot nuk shkon dot në një sesion, simpozium a konferencë shkencore jashtë Shqipërisë, për shembull në Gjermani, në Francë, në Belgjikë, në Amerikë a gjer në Australi, po të doni ju, pa pare në xhep që të paguajë hotelin, ushqimin dhe dy kafe në ditë? A i del rroga vallë? Qysh këtu merret vesh përgjigja: të gjithë i refuzojnë ftesat e shumta që vijnë nga institucionet homologe për të kumtuar nëpër forume të tilla shkencore ndërkombëtare. Rezultati? Kurrgjë nuk konfirmohet apo argumentohet aty për vlerat tona si komb, ku edhe duhet folur më fort përballë të tjerëve. Asiherë bëjmë gic-mic nëpër ca gazeta e televizione për të dëgjuar njëri-tjetrin në deliret dijedhënëse dhe fjalomaninë pa vlerë. Doemos shteti e di gjendjen, por mbyll një sy, ka bezdi: “Oh, ç’më çani kokën dhe ju… mizat!…”, thotë pabëzajt ai dhe shpëlan duart si Ponc Pilati, nuk jep asnjë kacidhe për ekspeditat shkencore, për hulumtime nëpër arkiva jashtë ku fle historia e shqiptarëve, për pjesëmarrje në veprimtari e forume shkencore në Evropë e më tej. Vallë kështu mund të bëhet Akademia e Studimeve Albanologjike qendra e albanalogjisë në botë?! Brofka! Dhe “struku, struku, i shkreti plak!”, siç thotë fjala, në këtë ftohmë të përgjithshme që i është vërvitur këtij institucioni unikal e tejet të rëndësishëm të kombit, ftohmë që s’po ikën akoma, ardhur nga mendjengushtësia e qeverive shqiptare, majtas apo djathtas, bjerrakohës pa vlerë. Shikoni pak, vetëm dy-tri shifra, që gjithçka të bëhet tejet e rrokshme: Në Shqipëri ndahet vetëm 0.1% e buxhetit për kërkimin shkencor, në Kosovë e Maqedoni 0.5% (pra pesë herë më shumë), në Bullgari 1.2%, pra 12 herë më shumë se ne. Po e përsëris: dymbëdhjetë herë. Vallë ka veshë qeveria ta dëgjojë? Sigurisht që ka, por bën shurdhmemecin.

Duhet një shkundje që t’i shkojë një fill zëri në kërmill të veshit. Demonstratat e studentëve e bënë atë që ta dëgjojë, më në fund, lëngatën e universiteteve, gjendjen ulëritëse të tyre. Dhe ka filluar të rikuperojë të çarat e mëdha, t’i qepë copa-copa ku të mundet, pa u hapur krejt thesi përfundi. Mirë universitetet se kanë zemërimin e studentëve, por Akademia e Studimeve Albanologjike çfarë ka?! Çelësat e kashtës ka. Ankesat e dhimbjeve të saj s’kanë nevojë për mbushje sheshesh me studentë apo mitingje gjithëfarllojesh. 36 profesorët e saj, tok me 12 asistentë profesorët, një aset punëdashës, i heshtur, i përkorë, mbi libra e tryeza studimesh, nuk janë modeli i llapa-llapëve nëpër emisione gati të shpifura, që kapitin dhe shpëlajnë trutë e njerëzve. Këta janë njerëz të nderuar, zotërinj qeveritarë të sotëm, apo ju që mëtoni të bëheni të nesërmen, me “kryengritje” apo me zgjedhje elektorale, puna juaj! Jepuni kushtet e dobishme profesorëve të tillë si Pëllumb Xhufi e Marenglen Verli, Beqir Meta e Valter Memishaj, Luan Përzhita e Anila Omari, Hamit Kaba e Stefan Çapaliku, si dhe të ngjashmëve të tyre. Studiuesit e shquar po pensionohen, por ç’mbetet pas? Edhe kjo është një plagë e hapur, një merak. Studiuesit me emër ikin nga institutet e akademisë, shkojnë në universitete ku paga është më e lartë. Fare thjesht: dyfishoni pagat, ju që nuk shihni përtej hundës suaj dhe syrit opak, që ju mungon vizioni evropian. Edhe më shumë madje, ju lipset të krijoni kushtet për hulumtim e studim, jepuni shansin e merituar profesorëve, këtyre heshtanëve fisnikë, që të kumtojnë nëpër katedrat universitare të botës, të bëhen pjesë e veprimtarive shkencore ndërkombëtare, të flasin për Shqipërinë, për vlerat e këtij kombi, të çojnë e të sjellin me vete krenarinë e munguar. Por kjo bëhet me vepra, dmth me para, jo me fjalë e premtime boshe, boll me to se u stërlodhëm. Ka ardhur koha që shteti shqiptar të bëhet një Mecenë, Mecena i madh, sepse është shprehësi i interesit dhe vetëdijes kombëtare absolute. Bëje shtet tani, se dikush tjetër nesër doemos do ta bëj! Bëje!/ Josif Papagjoni – Gazeta Shqiptare.