Prishtinë, 5 shkurt – Komisioni parlamentar për arsim, shkencë, teknologji, kulturë, rini, sporte, inovacion dhe ndërmarrësi do të mbikëqyrë punën e Ministrisë së Kulturës dhe Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore. Nëpërmjet një grupi punues që përbëhet nga tre deputetë, anëtarë të Komisionit, do të mbikëqyret implementimi i Ligjit për trashëgimi kulturore.
Anëtarët e Komisionit që udhëhiqet nga deputeti Ismajl Kurteshi, kanë ardhur në përfundim se Ministria e Kulturës dhe Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore nuk janë duke gjetur gjuhë të përbashkët. Në mbledhjen e së hënës, deputetja Arbërije Nagavci është caktuar kryesuese e grupit punues. Një grup pune pikërisht për këtë çështje ishte paralajmëruar qysh në maj të vitit të kaluar. Asokohe kishte pasur një përplasje midis ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi dhe ish-kryetarit të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, arkeologut Shafi Gashi.
Kryetari i Komisionit parlamentar, Ismajl Kurteshi, ka thënë se në maj të vitit të kaluar i kanë bërë bashkë përfaqësuesit e MKRS-së dhe të KKTK-së. Por, sipas Kurteshit, gjendja nuk është përmirësuar.
Përplasja e fundit midis institucioneve të trashëgimisë kulturore dhe KKTK-së qe më 13 dhjetor të vitit të kaluar.
Të hënën, ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, ka thënë se pushtetet janë të ndara dhe gjithçka që buron nga Ligji për MKRS-në është obliguese/Shaban Maxharraj.