Kulturë

“Artisti i vetëm“ dhe vetmia e artistit

Vështrim mbi shfaqjen “Artisti i vetëm”, bazuar mbi dramën me të njëjtin emër të shkrimtarit gjerman Ralph Hammerthaler, të luajtur nga aktori kosovar Naim Berisha në teatrin “Dodona”, në Prishtinë, më 26 janar 2019

Shfaqja

Në fillim të nëntorit të kaluar, në teatrin “Faruk Begolli” në Prishtinë, u dha premiera e shfaqjes “Artisti i vetëm” – vepër e shkrimtarit gjerman me formim sociologjik, Ralph Hemmerthaler. Shfaqja është një monodramë, e cila për subjekt ka një artist muzikant që kompozon, por vepra e të cilit bie ndesh me shijen e publikut, e cila ka degraduar për shkak të dekadencës që ka përfshirë artin, kulturën dhe të gjithë shoqërinë. Para ca ditësh repriza e shfaqjes u dha në Tiranë, në Teatrin Eksperimental, ndërsa të shtunën e kaluar në teatrin “Dodona” në Prishtinë.

“Artisti i vetëm” u luajt nga aktori i vetëm – Naim Berisha. Ishte vërtet një shfaqje e bukur, por këtë herë vlerën ia shtoi prania në teatër e vetë autorit – shkrimtarit Ralph Hammerthaler. Takimi në skenë dhe përqafimi falënderues i autorit me aktorin ishte moment i veçantë, sikurse që ishin të veçanta krejt loja e aktorit dhe përshtypja e autorit. Duke qenë dëshmitar i këtij takimi, i këtij vlerësimi që mori aktori nga autori dhe publiku, por edhe i kënaqësisë që përjetoi vetë autori, duke parë veprën e tij të shfaqet në një skenë kosovare, më shtyu të mendoj se atij trekëndëshit karakteristik, të cilin e formon procesi i krijimit artistik: autori – vepra – publiku, duhet t’i shtohet edhe një kënd – ai i interpretuesit ose aktorit. Aktori në fakt është edhe vetë krijues, sepse sjell në skenë veprën e shkruar, e vendos atë në një kontekst shoqëror dhe kulturor të ndryshëm prej atij çfarë e ka menduar autori, si dhe e fut në mendjen dhe imagjinatën tonë, për të qëndruar aty si një përkujtues i asaj se çfarë jemi dhe çfarë po bëjmë. Aktori është krijues, sepse prej vetes së tij personale e rikrijon personazhin, të cilin paraprakisht e ka krijuar shkrimtari. Por ka një dallim këtu, sepse shkrimtari e ka krijuar me talentin dhe imagjinatën e tij, kurse aktori e rikrijon atë me trupin dhe shpirtin e tij, me qenien e tij. Të dy bashkë, njëri para lexuesit, e tjetri para shikuesit, njëri në libër e tjetri në skenë, e shfaqin personazhin me tiparet e tij fizike e shpirtërore, me dramën e tij jetësore, me teket dhe shprehitë, dijen dhe mundësitë, gëzimet dhe pikëllimet, me shpresat, iluzionet, ëndrrat, e në fund edhe me dëshpërimin e tij, me vetminë e tij.

Subjekti

Kush është Hans Klipp, apo siç e quajnë Krimb? Ai është një artist i cili jeton dhe luan në fshatrat buzë Liqenit të Krimbave. Atje luan natën në një anije me dritën e hënës, për çfarëdo feste, dasme, përvjetori e të tjera. Ai është një artist që me punën e tij e shkrin publikun. Është artist për të cilin shkruajnë gazetat dhe i cili vallëzon me gra kokëthinjura, këndon në dasma dhe nuk e ndal muzikën edhe në rast se dasmoret ia shkulin flokët njëra-tjetrës. Atë nganjëherë e thërret edhe qeveria për të kënduar këngë folklorike ose edhe ritmike për mysafirët e lartë, siç ishte rasti një herë me presidentin e Kazakistanit, kur Hansi kishte përfituar bakshish në para dhe kjo atij i pati pëlqyer, ani pse bodigardët e kontrolluan deri në intimitet.

Ai e njeh publikun shumë mirë dhe saktësisht e din se kush është vallëzues e kush rri ulur. Ai thotë se të jesh artist i madh është një biznes i vështirë. Njerëzit kërkojnë të argëtohen dhe asgjë më tepër. Dhe po qe se nuk e bën këtë, ata çakërdisen me sy e me duar, të nxjerrin jashtë. Konkurrenca e lirë e ka bërë të veten. Artistët e lirë me CD-të e tyre, e që nuk dinë të luajnë në asnjë instrument, që i ndërrojnë oktavat dhe i ngatërrojnë gishtat, ta marrin tregun me çorbën e lirë të tyre. Ai tregon rastin kur një herë shefi i anijes kishte sjellë një këngëtar të lirë, i cili torturonte një grua duke pyetur a besoni në telepati. Pas trikut me telepatinë, publiku brohoriste. Ky degradim i artit, i publikut dhe shoqërisë, Hansin e kishte zhytur thellë në mendime.

Ai pastaj është edhe reklamues i punës së vet. Dhe jo vetëm reklamues, por edhe bën fushatë për vete, duke qëndruar me orë të tëra në port dhe duke bërë muzikë për kalimtarët, përfshirë edhe ata që hanë pula të pjekura në skarë dhe duartrokasin me duar të palara.

Ai pastaj është zënë nga dashuria e dy grave: Rozvita dhe Nadia, shumë të ndryshme për nga karakteri, por të njëjta në dashurinë për Hansin. Rozvita i përcjell shfaqjet e tij, e interpreton muzikën e tij, ia ngjyros flokët e thinjura dhe pa të Hansi nuk do të kishte as shtëpi as familje. Ajo është e para që i duartroket kur ai bën muzikë në port. Nadia, të cilën e sheh vetëm të enjteve, nganjëherë edhe të martave, është e pushtuar deri në çmenduri nga dashuria për Hansin, e shantazhon atë dhe sillet si një pronare e jetës së tij. Edhe Nadia nganjëherë këndon dhe Hansi ëndërron që një herë të këndojë në skenë me të, vetëm për të mos qenë artist i vetëm…

Hans Klipp bën jetë dykuptimshme. Përveçse është i lidhur në dashuri me dy gra, madje me natyrë krejtësisht të ndryshme, ai është një artist i madh, por i kërkohet të bëjë çorbë të lirë. Ka shije për muzikë, por ballafaqohet me mungesën e shijes së të tjerëve; sidomos e mbyt shija e qeveritarëve. Ka vullnet për krijim, por bën muzikë për para. Është i ftuar të luajë nga çdokush dhe për gjithçka, por edhe rri i mbyllur e i vetmuar në mbretërinë e shpirtit të vet. Është i famshëm, por një herë ka qenë i përjashtuar prej një skene televizive, ka qenë i përzënë dhe i sharë keq, saqë për këtë pati shkruar edhe gazeta. Kjo e kishte dëshpëruar për së tepërmi artistin e madh Hans Klipp, saqë për shtatë ditë kishte ndenjur i mbyllur në podrum, në vetmi të plotë. Këto dhe shumë të tjera janë disa momente të dramës jetësore të personazhit.

Loja

Për t’iu rikthyer lojës së aktorit, në këtë rast – Naim Berishës, e para që duhet thënë është identifikimi i tij i plotë me rolin. Përjetimi i rolit, përshtatja me karakterin, imitimi i situatave reale, bisedave emocionale dhe rrëfimeve personale, ashtu siç e do monodrama; pastaj, shndërrimet e tij të shpejta, të lehta dhe të natyrshme, i japin lojës një dinamikë të paparë. Shndërrimi kryesor, ai në personazhin e Hans Klippit, e bën aktorin artist në kuptimin e vërtetë të fjalës, shkurt e shqip artist i zoti për monodramë. Ai është i përkushtuar në realizimin sa më të mirë të shfaqjes, duke filluar nga regjia dhe skenografia që i ka bërë vetë, e deri te interpretimi. Diksioni i qartë e i fuqishëm, vibrimi virtuoz i zërit, timbri melodik dhe intonacioni e përmbushin kushtin e monologut, si një rrëfim i qartë që do të mbahet në mend. Komunikimi i drejtpërdrejtë me publikun e plotëson kushtin e të folurit me palën tjetër, e bën publikun aktiv, si një palë dialoguese e cila ka për të thënë diçka, por që akoma s’e ka marrë fjalën. Lëvizjet e shpejta dhe të llojllojshme në skenë, me të cilat pasqyron situatat herë komike e herë ironike, e bëjnë aktorin të dominojë skenën dhe të mbajë në tension publikun. Huazimi i këngëve dhe muzikës vendore e sjellin shfaqjen këtu, në mjedisin tonë, kontekstin, vendin dhe kohën tonë.

Skena

Skena me anije, sipas aktorit, është metaforë e jetës së kryepersonazhit, e artistit të vetëm me emrin Hans Klipp. Koloriti i ngjyrave të anijes pasqyron ngjyrat e jetës së artistit, ndërsa thyerja e anijes pasqyron thyerjen shpirtërore të tij. Ama, të mos harrojmë diçka: aty ku thyhet anija, prej aty buron rrezja e dritës dhe prej aty niset aktori për t’u përshëndetur me publikun. Përshëndetja me përulësi dhe rrezet e fuqishme që burojnë mbrapa tij, sikur duan të thonë se arti nuk i dorëzohet krizës shoqërore; artisti përulet para publikut, por arti e ndriçon atë.

Dritat që e shoqërojnë, sikur bëjnë me dije se edhe artisti është person i përndritur; sikur thonë se është burim rrezesh e jo objekt i tyre. Ani pse lëvizjet në skenë i ka të shumta, ani pse shkel në çdo cep të saj, ani pse rri ulur, ngrihet në këmbë, drejton trupin, hap duart, gërrmucët, përkulet, rrëzohet dhe përsëri çohet, drita e përcjell sikur të jetë ai vetë burim i saj. Drita i shkon për shtati aktorit edhe për shkak të thyerjeve të ashpra të fytyrës, për shkak të kontrasteve në veshjen bardhezi, por edhe për shkak të kontrasteve në jetën e personazhit, rolin e të cilit e luan: krijues dhe improvizues, motivues dhe dëshpërues, i njohur dhe i vetmuar, i famshëm dhe injoruar, i ftuar dhe përjashtuar…

Përfundimi

Shfaqja do të vazhdojë rrugën e vet e autori Ralp Hammerthaler, po ashtu, do të vazhdojë punën e vet. Punë e tij është edhe interesimi për Kosovën, për jetën e saj, historinë, gjeografinë, kulturën, shoqërinë dhe përditshmërinë e saj. Ai interesohet për jetën dhe mbijetesën e njerëzve në këtë vend, për mënyrën si mendojnë dhe si krijojnë. I interesojnë realitetet paralele dhe paradoksale të saj, të tashme e të dikurshme, përvojat, iluzionet, ëndrrat dhe çdo gjë tjetër. Ai e di mirë dhe e thotë sa shumë punë ka në Kosovë për shkrimtarë, artistë, sociologë, studiues… Ralp Hammerthaler lexon dhe shkruan shumë. Në shqip ka një libër me drama “Këtu nuk është Amerikë”, botuar nga qendra “Multimedia” (2014). Ai vjen shpesh në Kosovë, sepse e do atë; ka shumë miq dhe nuk i bëhet tepër të ketë edhe më shumë.

Shfaqja “Artisti i vetëm” do të shfaqet edhe në disa teatro të Kosovës, në Shkup, pastaj në Paris, e më vonë edhe atje ku është krijuar – në Berlin, në qytetin të cilit historia ia pati caktuar një fat të veçantë – ndarjen, pastaj kthesën historike, e në fund bashkimin. Drama “Artisti i vetëm”, ndër të tjera, na mëson se edhe vetë jeta e artistit është një dramë.