Elvana Shala u lind dhe u rrit në Pejë, për t’u zhvendosur në Prishtinë më 2010. Ka diplomuar në shkenca politike dhe në gazetari e komunikim masiv. Prej moshës 12-vjeçare ka nisur të punojë në organizata të ndryshme joqeveritare, lokale dhe ndërkombëtare, kryesisht në projekte kulturore, humanitare dhe aso për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Në vitin 2002 u njoh në publik për rolin kryesor në shfaqjen “We also want light”, që avokon njohjen e të drejtave të personave në nevoja të veçanta. Më 2003 për herë të parë përfaqësoi Kosovën në Kongresin Botëror për Fëmijët me Nevoja të Veçanta në Wells, shkruan sot “Koha Ditore”.
Më 2004 u zgjodh deputete në Asamblenë e të Rinjve në Pejë, themeluar për promovimin e të drejtave të të rinjve në Pejë. Ka marrë edhe disa çmime për ese letrare dhe ka marrë pjesë në shumë aktivitete ndërkombëtare e lokale. Më 2014 u emërua Ambasadore e Vullnetit të Mirë për Kosovë nga Komisioni Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut dhe në këtë cilësi ka marrë pjesë në konferenca e samite të ndryshme në New York, Londër, Dubai, Gjenevë, Turqi, Morocco, Prague e të tjera. Më 2017 është rizgjedhur si Ambasadore e Vullnetit të Mirë, titull që do ta mbajë deri më 2022. Në këtë cilësi është organizatore e disa projekteve që promovojnë vullnetarizimin dhe të drejtat e njeriut.
Shala është personazhi i kësaj jave që rrëfehet në rubrikën e përjavshme “7 Shkronjat” në “E diela e Koha Ditore”.
Sfida është termi që më ka përcjellë gjithë jetën. Si fëmijë jeta ime ishte plot sfida të bukura e të vështira, të suksesshme e të dhimbshme.
Thuhet se sfidat janë për njerëzit e fortë, por në fakt unë mendoj se vetë sfidat që mund të na sjellë jeta na bëjnë më të fortë. Sepse sa më shumë të sfidohesh në jetë arrin të kuptosh vlerën e vetë jetës dhe gjithçkaje që ti dëshiron dhe të rrethon.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)