Kulturë

Ekspozita me fotografi nga sfilata e modës së personave me aftësi të veçanta

Profili i tridhjetë e tre njerëzve me aftësi të veçanta, është shpalosur në disa fotografi që janë shkrepur në ngjarjen “Bukuria brenda të gjithë neve”.

Ata, në muajin e fundit të vitit që lamë pas, kanë parakaluar në ngjarjen që synon për të dhënë mesazhin për integrimin e këtyre personave në një shoqëri të barabartë, ndërsa ekspozita me fotografi ka shpalosur çastet më të bukura të sfilatës, raporton “Express” i KTV-së.

Ambasadroja e vullnetit të mirë për Kosovën, Elvana Shala, si organizatore e sfilatës tregon se si kishte gjetur mirëkuptim nga njerëzit me nevoja të veçanta për t’iu bashkuar kësaj ngjarjeje të modës.

Mejreme Llumnica nga shoqata “Handikos”, thotë se bukuria shpirtërore e këtyre personave duhet të prezantohet edhe tek organizimit e tjera për ta balancuar barazinë shoqërore.

E lumtur me mbajtjen e këtij organizimi shprehet të jetë Emine Canolli, e cila e kishte shoqëruar vajzën e saj në këtë ngjarje të modës.

Kjo ekspozitë me fotografi do të jetë e hapur deri më dhjetë shkurt në Qendrën Informative Kulturore të Bashkimit Evropian në Prishtinë.