Kulturë

140 mijë euro kërkon Teatri i Gjilanit për të funksionuar brenda 2019

Pesëdhjetë e pesë mijë euro të cilat drejtoria e Kulturës së Gjilanit i kishte ndarë në majin e vitit 2018 për Teatrin e qytetit nuk kanë qenë të mjaftueshme që me këto mjete financiare të paguhen edhe pesë paga të dymbëdhjetë aktorëve të ansamblit, transmeton emisioni Express në KTV.

Tridhjetë e pesë mijë euro është shuma të cilën menaxhmenti i këtij Teatri ka paguar për borxhet akumuluese. Ndërkohë, llogaritë kanë devijuar kur janë ekzekutuar pagesat për aktorët.

Drejtori i Teatrit të Gjilanit, Erson Zymberi, ky problem thotë të jetë shkaktuar nga statusi i aktorëve të cilët janë klasifikuar si punonjës me marrëveshje për shërbime të veçanta.

Nga ana tjetër, drejtoresha e Kulturës në Komunën e Gjilanit, Shpresa, thotë se aktorët marrin paga në bazë të subvencioneve.

Të gjitha shpresat për zgjidhjen e këtij problemi financiar mbeten në mbledhjen që Asambleja Komunale do ta mbajë më 31 janar të këtij viti, e ku aty do të diskutohet edhe buxheti për Teatrin.

Aktorët javë më parë, kanë nisur provat e shfaqjes “Kërkuesit” që do të prezantohej premierë në festivalin tradicional “Flaka e janarit”, mirëpo ato janë ndërprerë, për shkak të mospagesës ndaj punës të cilën e bëjnë.

Teatri i Gjilanit në shtatorin e vitit që lamë pas, kishte rikthyer repertorin e rregullt të shfaqjeve.

Menaxhmenti i teatrit beson që deri në fund të janarit do të bëhet zgjidhja e problemit rreth pagave të aktorëve, në mënyrë që ata t’i kthehen skenës për inskenimin e shfaqjeve.