Kulturë

Pikturat e Kelmendit në Romë me mesazhe për bashkekzistencë

 

Prishtinë, 14 janar – Veprat e piktores Majlinda Kelmendi, të cilat shpërfaqin konceptin e saj mbi bashkekzistencën, të konkretizuar nëpërmjet artit, do të jenë në dispozicion të vizitorëve të publikut të Romës. Pikërisht nga cikli “Bashkekzistenca” ka marrë titullin edhe ekspozita e saj personale “COESISTENZA”, që do të hapet në ditën e 16-të të këtij muaji në Muzeun e Artit Bashkëkohor të Universitetit “La Sapienza” në kryeqytetin italian.

Në dy vjetët e fundit piktorja Majlinda Kelmendi, e cila është edhe profesoreshë në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, ka punuar në ciklin e saj të ri. E njohur si krijuese aktive, Kelmendi nëpërmjet veprave të saj hap horizonte të bashkekzistencës duke bërë thirrje për thyerje kufijsh. E këto mesazhe për herë të parë do t’i japë përtej Adriatikut, në shtetin ku banojnë edhe shumë shqiptarë.