Kulturë

Emërvendet (toponimet) tregues të denjë të autoktonisë shqiptare në Sanxhak

 

Valentin Vasileviç Sjedov: “Shqiptarët e sotëm janë mbetje e ilirëve të cilët jetonin në këto hapësira. U formuan në të kaluarën në pjesën jugore të Shqipërisë, e pastaj gradualisht u përhapën edhe në hapësirat e tjera... në shekullin VIII dhe IX, kurse në bazë të dokumenteve të pakta që u ruajtën gjuha e tyre e ka origjinën nga ilirishtja”...

Në mënyrë që të ruhet trashëgimia e toponomastikës, të paktën pjesërisht, duhet shënuar dhe me kujdes të hulumtohet kjo çështje nga perspektiva të ndryshme shkencore. Me hulumtimin e toponimeve merren shkenca të ndryshme, sidomos linguistika, por edhe gjeografia, hartografia, historia, arkeologjia etj. Metodologjia e hulumtimeve shkencore të toponimeve më së miri e elaboron toponomastika, dega e linguistikës, në kuadër të onomastikës, disiplinë shkencore e cila merret me emrat. Studiuesit e toponomastikës japin njohuri themelore për zhvillimin e toponimeve, format e tyre gjuhësore, ndryshimet, dhe në përgjithësi të funksionit në gjuhë. Këto punime janë të pashmangshme, pa marrë parasysh se nga cili këndvështrim shqyrtohet kjo problematikë. Megjithatë, kur shqyrtohen emrat gjeografik në kontekstin hapësinor, sidomos kur përcaktojnë lidhjet e tyre me funksionet hapësinore, rëndësi të veçantë kanë hulumtimet gjeografike.