Kulturë

Kujtimi i zbehtë për Kadri Roshin në përvjetorin e lindjes

 

Shpesh është vlerësuar si njëri prej aktorëve më të mirë që ka pasur Shqipëria ndonjëherë. Sa herë që përmendet si artist, lëvdohet me epitete superiore. Por në 95-vjetorin e lindjes, Kadri Roshi është kujtuar goxha zbehtë. Teatrit Kombëtar në Shqipëri i ka mjaftuar publikimi i disa fotografive të Roshit. Në një prej tyre ai shfaqet pranë aktores Margarita Xhepa, shkruan sot Koha Ditore.

Biografia e Roshit shpërfaq një artist me role të mëdha e çmime nga më të lartat. I mbetur jetim që në moshën 12-vjeçare, ai kishte kërkuar mbijetesën në Vlorë, Kavajë, Gjirokastër, Durrës e në fund Tiranë, duke punuar herë si punëtor ngarkim-shkarkimi në portin e Durrësit, herë si punëtor mirëmbajtjeje. Për një kohë kishte shërbyer edhe si shitës biletash në atë që dikur ishte kinema “Republika” në Tiranë.