Kulturë

Vendimi gjyqësor rikthen kërkesën për xhami në Kalanë e Prizrenit

Vendimi gjyqësor rikthen kërkesën për xhami në Kalanë e Prizrenit

Këshilli i Bashkësisë Islame në Prizren ka bërë të ditur se ka pranuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë - Departamenti për çështje administrative, me anë të të cilit aktvendimi i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve në lidhje me kërkesën për rindërtimin e xhamisë në Kala është anuluar dhe është kthyer në rishqyrtim dhe rivendosje. Ky aktgjykim, sipas KBI-së, edhe ligjërisht ka vërtetuar vlerësimin e dhënë nga ky institucion fetar, si dhe nga Iniciativa Qytetare, se aktvendimi i Ministrisë së Kulturës dhe IKMM-së ka qenë “joprofesional, tërësisht subjektiv dhe me paragjykime të thella kundër xhamisë si institucion fetar”, shkruan sot Koha Ditore.

KBI-ja ka publikuar në rrjetet sociale 3 pikat e aktgjykimit të datës 22 nëntor 2018, të Gjykatës Themelore të Prishtinës - Departamenti për çështje administrative, ndërkohë që zyrtarët e MKRS-së kanë deklaruar se nuk janë të njoftuar zyrtarisht me verdiktin e gjykatës së shkallës së parë.