Kulturë

Arben Llapashtica mban fronin në garën e fotografisë “Wiki Loves Monument”

Fotografi Arben Llapashtica është fitues i garës kombëtare të Wikipedias, në kategorinë “Wiki Loves Monument”.

Të enjten mbrëma, fotografia me dron që ai ia ka bërë Bibliotekës Kombëtare e Kosovës, “Pjetër Bogdani”, zuri vendin e parë. Vendi i dytë i takoi fotografit, Arian Mavriqi me fotografinë që i ka bërë Kalasë së Artanës. Ndërsa vendi i tretë i takoi Bujar Gashit me fotografinë e Xhamisë së Mazhiqit. Këto fotografi fituese ishin përzgjedhur në mesin e dhjetë më të mirave.

Llapashtica është shprehur i lumtur për fitoren e radhës në këtë garë.

“Edhe këtë vit fitues i vendit të parë në ‘Wiki Loves Monument’. Jo rastësisht ky çmim... jam ndër kontribuuesit më të mëdhenj me fotografi, sidomos promovimin e trashëgimisë kulturore në Enciklopedinë e Lirë wikipedia!”, ka thënë Llapshtica.

Më shumë detaje rreth ekspozitës dhe rreth fituesve mund të gjeni në numrin e nesërm të Kohës Ditore. / S. Klisurica