Kulturë

Martin Garrix elektrizon finalen e “Sunny Hill Festivalit”

Prishtinë, 14 gusht − Martin Garrix, 22-vjeçari që rangohet mes DJ-ve më me nam në gjithë botën, në playlistën e tij, “pikat e nxehta” i ka këngët e dy këngëtareve shqiptare. “Scared to be lonely” me Dua Lipën e “In the name of Love” me Bebe Rexhen, dëgjohen gjithandej botës ku ai bën muzikë.

Por kur hitet e dy këngëtareve me nam dëgjohen në një hapësirë të mbushur me mbi 12 mijë veta në Prishtinë, atmosfera që krijohet merr tjetër kuptim. Skenografia ndryshon ngjyrë, audienca këndon secilën fjalë, kërcimet gati se të koordinuara bëhen më dinamike e Garrix merr kujtimet e performancës së parë nga Kosova. Artistit holandez i ka rënë hise ta mbyllë edicionin e parë të një festivali që konsiderohet se i ka dhënë skenës kosovare të muzikës një tjetër kahe.

“Faleminderit”, ka thënë disa herë në shqip DJ holandez, pronar i lejbëllit të vet “STMPD RCRDS”, i ranguar nga revista “Forbes” në mesin e më të paguarve në botë (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).