Në kohën kur “Frei.Wild” doli në skenë në “Alpen Flair”, një festival treditor muzikor në veri të Italisë, dielli ishte zhdukur pas majave të pyllëzuara që rrethojnë Alpet. Shumica prej rreth 20 mijë vetave në audiencë kishin udhëtuar rreth 160 kilometra nga Gjermania, për ta përcjellë bendin. Turma ishte e bardhë dhe kryesisht e mbushur me meshkuj dhe shumica e fansave bërtisnin bashkë me bendin, kur ata interpretuan një prej këngëve më kontroverse, “Südtirol”.
Kënga i kushtohet regjionit ku ndodhet shtëpia e “Frei.Wild”, Tirolit Jugor, ku po mbahej festivali, një enklavë kryesisht me gjermanofolës që kishin kaluar në Itali nga Austro-Hungaria pas Luftës së Parë Botërore.
“Nuk do të toleroja ndonjë kritikë për këtë tokë të shenjtë, vendlindjen tonë”, këndon vokalisti i bendit, Philipp Burger, i mbushur me tatuazhe. Një shqiponjë e ngjashme me atë që shihet në flamurin e regjionit u pa në ekran të madh gjatë performancës, shkruan Koha Ditore.
“Frei.Wild” është bërë një prej bendeve më të suksesshme dhe më të përfolura në Gjermani, ku tekstet e këngëve të tyre që flasin për dashurinë ndaj vendlindjes kanë rezonuar me njerëz që duan t’i sfidojnë tabutë e pasluftës kundër shprehjes publike të krenarisë kombëtare. Bendi këndon në gjermanisht dhe muzika e tyre është një variant i “deutchrock”, me nuanca të muzikës punk, formë gjermane e muzikës rock. Por identiteti i Tirolit Jugor, i mundëson bendit të shprehë në gjermanisht ndjenjat nacionaliste, para një audience të madhe gjermane, derisa pjesërisht shmangin reagimet që një bend gjerman do të mundë t’i kishte sikur të bënte deklarata të ngjashme... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)