Kulturë

Kritikë intelektualit johuman e shoqërisë së kaosit

Një libër që mund të konsiderohet fotografi kolor për gjendjen bardhezi të rendit të ngjarjeve politike e shoqërore të pasluftës në Kosovë, është ajo që sociologu e publicisti Ibrahim Berisha e ka botuar së fundi. “Urtia e pafuqishme”, një përmbledhje esesh në 190 faqe, e botuar nga “Artini”, është një shëtitje e natyrshme dhe kritike e situatës që ka përshkuar shoqërinë e Kosovës viteve të fundit, shkruan sot Koha Ditore.

Nuk ndalet këtu. Kthehet prapa në histori për të gjetur gjenezën e problemeve në të cilat po kalojmë sot si shoqëri. Në esetë e tij, njëherë individin, e më pas grupin që ka zaptuar këtë skenë politike e shoqërore, me thumbat e tij Berisha i zhvesh, i deklason e i ç’mitizon.

Të njëzetetria esetë kuptohen edhe nëse lexohen të shkëputura, por të lexuara me një frymë, rrjedhshëm, njëra pas tjetrës përshkruajnë një pjesë të historisë së shoqërisë, veçmas të asaj të pasluftës në Kosovë.

“Urtia e pafuqishme” në mënyrë të urtë, por fuqishëm kritikon intelektualin johuman e shoqërinë e kaosit. Prandaj, këtë libër duhet ta lexojë secili intelektual, kushdo që e kërkon të vërtetën, e të gjithë ata që kanë aftësi të kuptojnë tragjedinë e thënë në mënyrë pak komike e shumë serioze...(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)