Pritja e Sulltan Mehmet Reshatit nga serbët në Kosovë më 1911

Meqenëse gjatë vitit 1909 Qeveria xhonturke nuk i mbajti premtimet e dhëna për hapjen e shkollave dhe për liritë e tjera ndaj popullatës shqiptare, kjo çoi deri te acarimi i marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve dhe xhonturqve. Kulmi i kësaj gjendjeje të pafavorshme për shqiptarët do të jetë viti 1910, kur padrejtësitë e ndryshme dhe dhuna po shfaqeshin në Vilajetin e Kosovës më shumë se në vilajetet e tjera shqiptare. Shqiptarët e kishin parë qartazi se rrugëdalje tjetër nga kjo gjendje e krijuar nuk kishte, duke e konsideruar si rrugë të vetme kryengritjen e armatosur, shkruan sot Koha Ditore.
Situata ishte tendosur, sidomos në Kosovë, ku në pranverën e vitit 1910 Qeveria osmane e kishte shpallur shtetrrethimin dhe i kishte ndërmarrë të gjitha masat për të organizuar një operacion të fuqishëm ushtarak në Kosovë dhe për të shuar kryengritjet e shqiptarëve. Mirëpo, pavarësisht se xhonturqit arritën t’i shuanin këto kryengritje, marrëdhëniet e shqiptarëve me xhonturqit kishin arritur në pikën më të ulët.
