Një zjarr ka shpërthyer në kampin e azilkërkuesëve në Mitrovicë në orët e mëngjesit sot.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, ka thënë se rasti është raportuar në Polici rreth orës 6 të mëngjesit, ndërsa kanë dal në vendin e ngjarjes zjarrfikësit dhe Policia.
“Në orët e mëngjesit Policia ka marrë informatë për një zjarr në kampin e azilkërkuesëve. Hetimet kanë nisur. Nuk dihen shkaqet e zjarrit. Po pritet të kryhet ekspertiza, nga ekspertët e pavarur”, ka thënë Zahiti për KOHËN.
Ndërkaq, Nita Mustafa, zëdhënëse e spitalit rajonal “Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, ka konfirmuar se në emergjencën e këtij spitali sot janë trajtuar shtatë persona, pesë nga të cilët shtetas të Marokos, ndërsa dy të tjerë shtetas të Libisë.
Sipas saj, lëndimet që kryesisht ishin nga flakët, kanë qenë të lehta dhe personat në fjalë pas trajtimit janë liruar menjëherë.
“Sot rreth orës 6:30 në spitalin tonë janë trajtuar gjithsej shtatë persona, shtetas të huaj, përkatësisht marokienë dhe libianë, të cilët kishin plagë të lehta nga flakët e zjarrit. Të gjithë pacientët pas trajtimit dhe në shoqërim të policisë janë liruar në gjendje të mirë”, ka thënë për Mustafa për KosovaPress.