Kronikë

Vrasja e Agonis Tetajt – gjykimi mbetet i bllokuar

Për shkak të një vendimi të Odës së Avokatëve të Kosovës, gjykimi për vrasje të rëndë i të akuzuarit Shaban Gogaj ka mbetur i bllokuar. Oda nuk po e lejon caktimin e një avokati tjetër, pasi që Gjykata në Pejë e përjashtoi nga rasti avokatin Besnik Berisha

Refuzimi i Odës së Avokatëve ndaj Gjykatës së Pejës, për të caktuar avokat për Shaban Gogajn, i akuzuar për vrasje të rëndë, do të shkojë në Ministrinë e Drejtësisë e në Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

Gjyqtarja Violeta Husaj-Rogova, në seancën e mbajtur këtë të enjte, ka bërë të ditur se do t’u drejtohet këtyre institucioneve shkaku i refuzimeve, të vazhdueshme të Odës së Avokatëve të Kosovës dhe të akuzuarit për angazhimin e një avokati tjetër.

Ajo ka shpjeguar të gjitha vendimet që kanë pasuar, pas përjashtimit të avokatit Besnik Berisha ndaj këtij rasti.

Megjithatë, edhe njëherë i akuzuari Shaban Gogaj u tregua i prerë.

E pasi që nuk u plotësuan kushtet për të vazhduar me seancë dhe gjykim, gjyqtarja vendosi që seanca e radhës të mbahet në muajin dhjetor, pavarësisht refuzimeve.

Po ashtu, ajo njoftoi se është ndërruar edhe njëri nga gjyqtarët në trupin gjykues, për shkak se gjyqtarja Florije Zatriqi është e suspenduar nga puna.

Vrasja e të riut Adonis Tetaj në vendin e punës kapi vëmendjen e opinionit, për shkak se dy ditë para se Gjykata Themelore në Pejë ta shpallë aktgjykimin ndaj të akuzuarit Shaban Gogaj, pamje të rënda u publikuan nga babai i të ndjerit.

E kjo vepër ishte cilësuar si vrasje nga pakujdesia, për çka pas këtyre pamjeve u përjashtua prokurori dhe lënda iu caktua Prokurorisë së Gjilanit, që po e mbron rastin në Pejë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Pejës, më 23 shtator të vitit 2018, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj merr një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se acarohet.

Më tutje thuhet se i ndjeri Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të stoqeve përballë tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të largohen edhe dy dëshmitarët e rastit.

Sipas aktakuzës, Gogaj, pasi përfundon bisedën në telefon, nga sirtari nxjerr revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendos karikatorin dhe e merr në shenjë të ndjerin Agonis Tetaj në kokë, duke e vrarë.

Në këtë rast i akuzuar është edhe Isuf Cacaj, i cili ngarkohet me armëmbajtje pa leje.