Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Veç sot më shumë se 10 aksidente në autostradën Prishtinë-Pejë

Policia

Më shumë se 10 aksidente kanë ndodhur sot në autostradën Prishtinë-Pejë, duke lënë disa të lënduar.

Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës, Daut Hoxhaj, nga këto aksidente përveç dëmeve materiale, ka edhe të lënduar.

Ai ka thënë për Koha.net se Policia bashkë me ekipet e emergjencave është duke menaxhuar me situatën e cila, sipas tij, është shkaktuar nga reshjet e shiut.

“Ju informoj se në autostradën Prishtinë- Pejë, konkretisht prej Sllatine, Kroi i Mbretit deri në Komoran, njësitet tona policore për menaxhimin e autostradës janë duke u marrë me disa raste të aksidenteve, ku vlerësohet se ka dëme materiale dhe lëndime në njerëz. Policia bashkë me ekipet e emergjencave është duke menaxhuar me këtë situatë ku pas reshjeve atmosferike në këtë pjesë të autostradës nga të dy anët deri në këto momente kanë ndodhur më shumë se 10 aksidente”, ka thënë ai.

Ai tutje ka bërë thirrje për pjesëmarrësit në komunikacion të jenë të kujdesshëm dhe të përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës.

Edhe Disa të lënduar në një aksident mes pesë veturave në rrugën Prishtinë-Pejë Kronikë Disa të lënduar në një aksident mes pesë veturave në rrugën Prishtinë-Pejë

“Ne kërkojmë nga të gjithë drejtuesit e automjeteve që të jenë të kujdesshëm, vigjilent dhe posaçërisht kur kemi ndryshime atmosferike, si reshje etj , lëvizjen e automjeteve të tyre ta përshtatin me kushtet e rrugës, për të shmangur aksidentet dhe të kenë qarkullim më të sigurt”, ka shtuar ai.

Ndërkohë si pasojë e aksidenteve kolona të mëdha janë krijuar në autostradën Prishtinë-Pejë.