Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Tre policët e arrestuar dyshohet se nuk reaguan ndaj plaçkitjes në një Qendër Tregtare në Gjilan

Inspektorati i Policisë së Kosovës (IPK) të hënën ka arrestuar tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës në bazë të autorizimit të cilin e ka siguruar nga Prokuroria Themelore e Gjilanit ngase ata dyshohen se kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Policët dyshohen se nuk kishin reaguar për parandalimin e plaçkitjes e cila kishte ndodhur në Qendrën Tregtare “Agmia” e cila gjendet afër kazermës së Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe afër objektit të Gjykatës Themelore të Gjilanit dhe objektit të Prokurorisë.

Plaçkitja e armatosur kishte ndodhur javën e kaluar në orët e hershme të mëngjesit ku një grup i personave të maskuar kishin shkatërruar dyert e objektit të Qendrës Tregtare dhe më pas ishin futur brenda duke vjedhur bankomatin i cili i takonte bankës Raiffaisen.

Kurse plaçkitësit ishin larguar pa ndonjë problem nga vendi i ngjarjes me një makinë tjetër e cila ishte parkuar në oborrin e qendrës tregtare. Policia deri tani nuk ka dhënë informata nëse kanë arritur të identifikojnë autorët e veprës në fjalë dhe nuk kanë dhënë informata as për shumën e të hollave të cilat janë plaçkitur, raporton korrespodenti i Grupit KOHA në Gjilan. Kurse Inspektorati i Policisë ka konfirmuar arrestimin e zyrtarëve policor të cilët tashmë janë në masën e ndalimit prej 48 orëve.

“Inspektorati Policor i Kosovës disa ditë më herët ka ndërmarrë disa veprime hetimore ndaj tre zyrtarëve policorë në Gjilan me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale ‘Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit’. Ndaj të njëjtëve IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit i cili rekomandim është zbatuar nga ana e policisë. Pas këtyre veprimeve hetimore, sot hetuesit e IPK-së me autorizim të Prokurorisë Themelore në Gjilan kanë arrestuar këta tre zyrtarë policorë me dyshimin se kanë kryer veprën penale Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar i cili është paraparë me nenin 422 të Kodit Penal të Kosovës. Të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë nga prokurori kompetent”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Edhe Pushohen hetimet ndaj tre zyrtarëve policorë të Gjilanit Arbëri Pushohen hetimet ndaj tre zyrtarëve policorë të Gjilanit

Ndryshe Prokuroria Themelore e Gjilanit të premten kishte konfirmuar suspendimin e policëve të cilët dyshohen për kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare të cilët të hënën u arrestuan nga IPK-ja. Policia e Kosovës ka qenë e mbyllur për mediat.

Në anën tjetër, Ahmet Demiri, pronar i Qendrës Tregtare “Agmia’ i kishte deklaruar Kohës Ditore se sigurimi nuk ka mundur të bëjë asgjë kundër plaçkitësve të cilët ishin futur brenda objektit. Sipas tij, grabitësit pasi kishin hyrë brenda objektit kishin marr me veti vetëm bankomatin e bankës.